Një rajon, gjashtë vende, ekonomitë e rajonit në kërkim të investimeve më afatgjata
BKT
Rajoni dhe Bota

Një rajon, gjashtë vende, ekonomitë e rajonit në kërkim të investimeve më afatgjata

RTSH

Gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor synojnë të bashkojnë potencialin për tërheqjen e investimeve më cilësore dhe rritjen e konkurrueshmërisë rajonale.

Në Forumin WB6 për Promovimin e Investimeve, në fokus ishte nevoja për bashkëpunim më të ngushtë, investime afatgjata dhe shfrytëzimin e mundësive të reja që po krijojnë ndryshimet në ekonominë globale.

Potenciali i Ballkanit Perëndimor shkon përtej tregjeve kombëtare, duke krijuar mundësi për një hapësirë ekonomike më të integruar, me akses në tregjet evropiane, fuqi punëtore gjithnjë e më të kualifikuar dhe bashkëpunim në zinxhirët rajonalë e evropianë të vlerës.

“Si agjenci për promovimin e investimeve, përgjegjësia jonë nuk është thjesht të tërheqim vëmendjen. Ajo është edhe që interesin ta kthejmë në vendimmarrje, vendimet në projekte dhe projektet në vlera të qëndrueshme ekonomike. Prandaj shpresoj që diskutimi i sotëm të jetë i hapur dhe praktik. Le ta sfidojmë veten, të ndajmë përvojat tona dhe mbi të gjitha të identifikojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë. Si institucione ashtu edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ardhmja e rajonit tonë nuk do të përcaktohet nga potenciali që zotërojmë, por edhe nga aftësia jonë për të arritur rezultate konkrete”. Ishte ky një nga mesazhet kryesore të Forumit për Promovimin e Investimeve, ku gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor prezantuan potencialin e tyre

Ky rajon ka një interes të madh për të tërhequr biznese nga Bashkimi Europian dhe synon gjithashtu ta bëjmë mjedisin e biznesit sa më tërheqës për investimet e reja.

Gjashtë agjencitë e promovimit të investimeve prezantuan avantazhet dhe sektorët me potencial zhvillimi në ekonomitë e tyre.

Gjithashtu në fokus ishte edhe përshtatja me hartën globale të investimeve dhe ndryshimet në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota