Përshkallëzohet konflikti në Jemen
Luan Qorraj / RTK
Përplasjet ushtarake në Jemen po marrin përmasa të reja, ndërsa sulmet e ndërsjella mes forcave qeveritare, kryengritësve Houthi dhe Arabisë Saudite po shtojnë tensionet në rajon. Shqetësim të veçantë paraqet rreziku i zgjerimit të sulmeve kundër infrastrukturës dhe caqeve civile.
Forcat Qeveritare të Jemenit kanë intensifikuar edhe më tej operacionet në rrethinat e qytetit Taiz, i cili është ende nën rrethimin e kryengritësve të grupit Ansar Allah , të njohur si Houthi. Sipas njoftimeve, forcat Qeveritare kanë filluar me goditje artilerike ndaj pozitave të houthi-ve, pasi që siguruan terren prej të cilin mund të kryhen sulme të tilla, përderisa edhe aviacioni saudit ka vazhduar me sulme ndaj houthi-ve në këtë pjesë të Jemenit.
Gjithashtu është njoftuar se Aeroplanët dhe fluturaket Saudite pa pilot, përsëri sulmuan portin më të madh të Jemenit, Hodeida, duke shkatërruar depo të naftës dhe municionit që përdoren prej houthi-ve si dhe rrethinat e kryeqytetit Sana i cili që nga viti 2014 kontrollohet prej kryengritësve.
Njëkohësisht është raportuar se një fluturake pa pilot e lansuar nga houthi-t ka goditur portin Jazan në detin e kuq por, fatmirësisht pa shkaktuar viktima apo dëme të mëdha. Ky sulm vije një ditë pasi që houthi-t goditën një ndërtesë të lartë në Rijad dhe pak pasi që u kërcënuan se , si kundërpërgjigje ndaj sulmeve Saudite , do të fillojnë të godasin portet e mbretërisë.
Analistët ushtarak kanë thënë se pasi që Houthi-t nuk po arrijnë të kryejnë sulme të suksesshme ndaj caqeve ushtarake apo infrastrukturës kritike energjetike, Arabia Saudite ballafaqohet me rrezik nga sulmet e shtuara ndaj caqeve civile të cilat nuk kanë mbrojtjet e bazave ushtarake apo infrastrukturës kritike.






















