Qindra mijëra persona ende pa energji elektrike pas stuhive që goditën SHBA-të
BKT
Rajoni dhe Bota

Qindra mijëra persona ende pa energji elektrike pas stuhive që goditën SHBA-të

A.B/RTKLive

Qindra mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike pasi moti i ligë goditi të dy brigjet e Shteteve të Bashkuara gjatë festës së Ditës së Falënderimeve.

Zonat lindore u përfshinë nga një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me erëra të forta, reshje të dendura shiu dhe vërshime në zonat bregdetare. Pensilvania ishte shteti më i goditur nga ndërprerjet e energjisë elektrike në orët e para të së premtes, sipas faqes monitoruese Poweroutage.us.

Pritet që kushtet atmosferike të përmirësohen, megjithëse parashikuesit e motit paralajmërojnë se kjo do të marrë kohë. Edhe bregdeti perëndimor është goditur nga stuhi të tjera.

Vështirësitë në trafikun ajror po vazhdojnë, me qindra vonesa dhe anulime të tjera fluturimesh të raportuara të premten, ditë që pritet të jetë sërish e ngarkuar për udhëtime.

Sipas FlightAware.com, të enjten janë vonuar më shumë se 2 500 fluturime brenda, drejt ose nga SHBA-ja, ndërsa mbi 450 janë anuluar.

Një pasagjer i ka thënë BBC-së se kishte mbetur për 13 orë në aeroportin LaGuardia të Nju-Jorkut, në përpjekje për të udhëtuar drejt Çikagos, ku do të takohej me miqtë për festën e Falënderimeve.

Përveç pengesave në udhëtime, pasojat e motit të ligë janë ndier në një pjesë të madhe të bregdetit lindor. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të shqyrtojë mundësinë e lirimit të fondeve emergjente.

Në Merilend janë mbyllur urat për shkak të erërave të forta, ndërsa në Delaware dallgët kanë goditur plazhet dhe uji ka depërtuar në shëtitoret bregdetare, raporton BBC.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota