100 kandidatë i nënshtrohen testit për 34 pozita të prokurorëve të rinj
V. Th. / RTKLive
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur testin me shkrim për 100 kandidatët që kanë aplikuar në procesin e rekrutimit të 34 prokurorëve të rinj të shtetit.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, nga 34 pozitat e shpallura për prokuroritë themelore të Kosovës, 10 janë të rezervuara për komunitetin serb.
Testit, të mbajtur në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, iu nënshtruan 48 gra dhe 52 burra. Në mesin e kandidatëve ishin edhe tre nga komuniteti serb dhe një nga komuniteti boshnjak.
Procesi është udhëhequr nga Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, ndërsa hartimi i testit është bërë në ditën e mbajtjes së tij, në prani të vëzhguesve nga EULEX-i, OSBE-ja dhe organizata AVONET.
Këta monitorues kanë përcjellë edhe mbarëvajtjen e procesit, me qëllim të garantimit të transparencës dhe integritetit të përzgjedhjes.
Pas testit me shkrim, rekrutimi do të vazhdojë me fazat e tjera, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara nga KPK-ja.






















