Eriksen do Realin, Tottenhami e jep për 100 milionë euro
Christian Eriksen ka zgjedhur Realin e Madridit. Të paktën kështu raporton këtë të martë “Daily Express”.
Sipas këtij tabloidi britanik, mesfushori danez i Tottenhamit, kontrata e të cilit me londinezët skadon në vitin 2020, preferon të vihet nën urdhrat e Zinedine Zidane.
Në fakt, 27-vjeçari kërkohet edhe nga Manchester United, por duke parë se marrëdhëniet mes dy klubeve angleze janë të ndera që nga çështja Berbatov e vitit 2008 (Spurs e denoncuan Manchester Unitet në Premier, me argumentin se e kishin kontaktuar futbollistin kur ishte në kontratë) kalimi i tij në “Old Trafford” duket më shumë hipotetik.
Presidenti i Tottenhamit, Daniel Levy, është gati ta lejojë largimin e futbollistit për 100 milionë euro, ndryshe do ta humbasë pas një viti me parametër zero.























