Në Poklek kërkohet ndëshkimi i autorëve të krimeve të luftës
BKT
Lajme

Në Poklek kërkohet ndëshkimi i autorëve të krimeve të luftës

Në akademinë përkujtimore për 20-vjetor të masakrës së Poklekut, familjarët kanë kërkuar që autorët e këtij krimi ndaj familjarëve të tyre të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Kjo akademi u organizua nën përkujdesjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se Drenica është bastion i lirisë, e cila për tri herë radhazi ishte në shënjestër të armikut për zhdukje. Ai tha se masakrat e përgjakshme në Kosovës nga forcat serbe prapavijë kishin spastrimin etnik.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se 17 prilli për popullin shqiptar shpalos sakrificën për liri dhe çlirim nga pushtuesi serb.

Në emër të familjarëve të dëshmorëve të Poklekut foli Skender Muçolli i cili kërkoi nga institucionet që të ndërmarrin veprime me qëllim që të ruajnë faktet që mund të sjellin një gjykim të drejtë dhe meritor ndaj kryerësve të masakrës në Poklek.

Ai tha se punësimi i komunitetit serb nëpër institucione po i vë në siklet familjarët e dëshmorëve, të cilit duke mos i ditur se kush janë kryesit e krimeve ndaj familjeve të tyre, gjithmonë kanë dyshime.

Më 17 prill të vitit 1999 forcat serbe vranë dhe masakruan dhe në fund i dogjën 54 shqiptarë të familjes Muçolli dhe Elshani, në mesin e tyre shumica gra, pleq e fëmijë.


MË SHUME NGA Lajme