VIDEO- Selimi: Kryeministri shkon me qëndrim të qartë në Samitin e Berlinit
BKT
Lajme

VIDEO- Selimi: Kryeministri shkon me qëndrim të qartë në Samitin e Berlinit

Zgjidhja e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë çështja thelbësore që do të diskutohet në takimin që kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor do ta mbajnë më 29 prill në Berlin, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe të presidentit francez, Emmanuel Macron. Ndryshe nga vendet e tjera, Kosova dhe Serbia në këtë samit do të përfaqësohen edhe me presidentë.

Lidhur me Samitin në Berlin dhe zhvillimet tjera politike në vend, në emisionin ‘INFO3’ në RTK3, foli Selim Selimi, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Selimi bëri të ditur se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është ftuar të marrë pjesë në Samitin e Berlinit, që mbahet më 29 prill, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe të presidentit francez, Emmanuel Macron, ku Kosova dhe Serbia pritet të përfaqësohen nga kryetarët dhe kryeministrat e dy vendeve.

Sipas tij, në këtë Samit kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë dhe presidenti i Francës kanë ftuar përfaqësuesit e lartë të Ballkanit Perëndimor, të Kroacisë, të Sllovenisë dhe të Komisionit Evropian.

Temat të cilat pritet të trajtohen në këtë samit, sipas Selimit, do të jenë ato me të cilat tani ballafaqohet rajoni. “Njëra prej temave do të jetë edhe përmbyllja e dialogut Kosovë – Serbi, për të cilin problem kryeministri Haradinaj tanimë ka paraqitur qëndrimin e qartë të Qeverisë. Aty përfshihen tema të shumta dhe dialogu duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Qëndrimi i kryeministrit Haradinaj është i qartë, dialogu duhet të përfundojë me njohje”, tha ai.

Sipas Selimit, sinjali i këtij samiti është, se vendet e Bashkimit Evropian e kanë parë se dialogu kërkon një angazhim më të gjerë të këtyre shteteve.

“Mendoj se zgjedhja është e afërt, ngecjet kanë ndodhur me fajin e Serbisë. Kosova nuk mundë të akuzohet se po pengon tregtinë e lirë, ajo është për tregti të lirë, por dihet se aplikimi i taksës për mallrat nga Serbi dhe Bosnja e Hercegovina kanë qenë të domosdoshme, kanë ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit, kjo njëherit ka forcuar edhe pozitën e Kosovës në raport me Serbinë. Dihet se faktori ndërkombëtar ka kërkuar heqjen apo suspendimin e kësaj takse, por ajo do të hiqet, vetëm me njohjen e Kosovës nga Serbia”, tha ai.

Kurse sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, këtë çështje e sheh të ndarë nga dialogu, dhe sipas tij, Kosova i ka plotësuar mbi 95 % të kushteve të shtruara nga BE. “BE-ja ka konstatuar se kriteret janë plotësuar dhe trendi i migrimit ka shënuar rënie. Ne presim që Këshilli i kryeministrave të BE-së të marrë vendimin e duhur për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, tha ai.

Sa i përket migrimit ilegal, thotë Selimi, ka rënie të dukshme, kurse kur është fjala për kërkim të një vendi të punës në BE, kjo është e drejtë e qytetarëve edhe pse, sipas tij, ata duhet të orientohen e të qëndrojnë në Kosovë.

“Edhe neve na shqetëson fakti i largimit të mjekëve e kuadrove të arsimuar nga Kosova, por nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë këtu. Ne po mundohemi që me politikën tonë të mbajmë këtu këto kuadro, pra ta ndalojmë si thuhet ”ikjen e trurit”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket koalicionit qeverisës, sipas Selimit, ai po funksionon mirë dhe kjo shihet edhe me votimin e ligjeve në Kuvend.

Për më shumë ndiqni videon në vazhdim:

 


MË SHUME NGA Lajme