Personat me aftësi të kufizuar duhet të jenë aktiv në shoqëri
BKT
Lajme

Personat me aftësi të kufizuar duhet të jenë aktiv në shoqëri

Personat me aftësi të kufizuara ende nuk i gëzojnë të drejtat e tyre dhe po hasin vështirësi në tregun e punës.

E në anën tjetër në Kosovë po mungon edhe përkushtimi i fuqishëm politik për të modernizuar sistemin e mirëqenies sociale.

Kështu u tha në Forumin e Parë të Ofruesve të Shërbimeve për Personat me Aftësi të Kufizuara në Kosovë të organizuar nga COD Kosovo, në bashkëpunim me Handicap Kosova, Down Syndrome Kosova dhe Shoqatën Evropiane të Shërbimit për Personat me Aftësi të Kufizuara.

Habit Hajredini  nga zyra e kryeministrit, ka ofruar mbështetjen me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më profesionale për personat me aftësi të kufizuara.

Hajredini tha se ata në bashkëpunim me shoqërinë civile kanë arritur të krijojnë një strategji nacionale me qëllim të identifikimit të specifikave të kësaj kategorie të shoqërisë kosovare.

Ai ka kërkuar bashkëpunim më të madh në mes ministrive përgjegjëse dhe OJQ-ve me qëllim që edhe personat me aftësi të kufizuara t’i gëzojnë të drejtat e tyre.

Mentor Morina ushtrues detyre i drejtorit të  politikave familjare në MPMS u shpreh se rreth 40 mijë persona përfitojnë nga skema pensionale për personat me aftësi të kufizuara.

Përkundër kësaj shifre, Morina tha se një numër i madh i kësaj kategorie nuk kanë arritur t’i marrin pensionet dhe po hasin vështirësi në tregun e punës dhe aftësimin profesional.

Drejtori i Forumit të Personave me Aftësi të Kufizuara, Bujar Kadriu tha se përkundër angazhimit personat me aftësi të kufizuar ende vazhdojnë të mos marrin shërbime profesionale për të qenë të barabartë në shoqëri.

Kadriu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që objektivat e tyre për këtë kategori të shoqërisë t’i zbatojnë, pasi pa qenë të barabarte edhe kjo pjesë e shoqërisë me pjesën tjetër nuk mund të thuhet që janë përmbushur të gjitha objektivat për të drejtat e njeriut në Kosovë.

 

 

Kurse, nga zyra për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dario Di Bennedetto tha se politikat gjithëpërfshirëse duhet të dizajnohen në atë mënyrë që të gjithë personat në Kosovë të jenë të barabartë, pasi ky është një ndër kushtet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Ai u shpreh se në aspektin e ofrimit të shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara mungon një përkushtim i fuqishëm politik.


MË SHUME NGA Lajme