Gjykata cakton masën e paraburgimit ndaj tre kosovarëve të kthyer nga ISIS
BKT
Lajme

Gjykata cakton masën e paraburgimit ndaj tre kosovarëve të kthyer nga ISIS

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit me nga 30 ditë ndaj Arijan Kryeziut, Visar Qugovcit dhe Agon Misini bazuar në nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, mbrëmë edhe të dyshuarit tjetër, të miturit Rexhë Tafaj, iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. 

Në gjykatore, tre të dyshuarit u sollën mëngjesin e sotëm, për t’u mbajtur  kështu seanca e parë dëgjimore, për personat që u sollën nga Siria në Kosovë.

Ahmet Tahiri, avokat i Arijan Kryeziut, tha se e kundërshtojnë kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Sa i përket gjendjes shëndetësore të klientit të tij, avokati Tahiri tha se ajo duket që është mirë.

I pyetur se a është shprehur i penduar klienti i tij, Tahiri tha se Arijan Kryeziu gjatë seancës dëgjimore kishte zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Ndryshe, edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar kontrollet mjekësore në qendrën e azilkërkuesve në Vranidoll të Prishtinës.

Ekipi i KosovaPress-it ka vizituar këtë qendër, ku në oborrin janë parë të lozin  vetëm fëmijët, ndërkaq të rrallë janë familjarët të cilët vinin aty.

Shteti i Kosovës kishte arritur të kthejë të shtunën në mëngjes 110 qytetarë që ishin duke qëndruar në zonat e konfliktit në Siri.

Në mesin e tyre, katër burra, 32 gra dhe 74 fëmijë. Katër burrat dyshohet se kishin marrë pjesë në luftime në zonat e konfliktit në Siri në kuadër të Shtetit Islamik. Operacioni i institucioneve të Kosovës ishte i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


MË SHUME NGA Lajme