Parlamenti Studentor bllokon Rektoratin, kërkon shkarkimin e bordit të UP
Për gati 2 orë Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka bllokuar hyrjen e Rektoratit të UP-së në shenjë proteste për mos realizim të kërkesës së tyre që të shkarkohet bordi i UP-së.
Parlamenti Studentor po kërkon që të shkarkohet bordi i UP-së, pasi sipas tyre ata janë të politizuar dhe nuk po merren me problemet reale të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Ndër kërkesat e tyre është edhe anulimi i vendimit që studentët për t’u regjistruar për studime master dhe në doktoraturë të kenë certifikatë të gjuhëve të huaja.
Derisa studentët kanë qëndruar para Rektoratit aty nuk janë lejuar që të hyjnë stafi, ku ndër ata që janë penguar të hyjnë ka qenë Prorektorja për buxhet dhe financa Myrvete Badivuku dhe Prorektori për kërkime shkencore Faton Berisha.
Në emër të Parlamentit Studentor ka folur Arlind Basha, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i organizatës studentore “Reforma”, i cili ka thënë se këto aktivitete i kanë filluar për të shprehur pakënaqësitë e tyre për gjendjen në UP.
Basha ka thënë se kërkesë e tyre është edhe funksionalizimi i ndërtesës së Fakultetit të Bujqësisë, pasi sipas tij ndërtimi ka filluar në vitin 2012 dhe janë shpenzuar rreth 5 milionë euro për ndërtimin e tij dhe ende studentët nuk mund ta shfrytëzojnë.
Ai ka thënë se studentët e UP-së përballen me kushte të vështira, duke përmendur se nuk kanë literaturë të mjaftueshme, mungesë të laboratorëve në Fakultetin e Mjekësisë dhe kushte shumë të vështira në Fakultetin e Arteve.
Në rast të mos përmirësimit të gjendjes, ai ka thënë se do të organizojnë edhe protesta të tjera.
Ndërkaq, Erzen Hyseni nga organizata “Paqja Studentore”, ka thënë se ndikimi i politikës në UP nuk është problemi i vetëm me të cilën përballet ky universitet, derisa ka përmendur disa nga vështirësitë me të cilat përballen studentët.
Parlamenti Studentor përbëhet nga katër organizata të cilat janë “Reforma në proces”, “USPE”, “Paqja studentore” dhe “SKV”, e që edhe ditën e djeshme kanë mbajtur një protestë para Rektoratit të UP-së.























