Nagavci reagon për këngën nacionaliste serbe të interpretuar në Bruksel
Sh.Ç/RTKlive
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar përzgjedhjen e këngës “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila u interpretua gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Në një reagim në Facebook, Nagavci ka rikujtuar kontekstin historik të kësaj kënge, duke thënë se ajo daton nga viti 1989, në kohën kur regjimi i Slobodan Millosheviqit po cenonte autonominë e Kosovës dhe po përjashtonte shqiptarët nga institucionet arsimore, shëndetësore dhe vendet e punës.
Sipas saj, kënga përcjell një mesazh nacionalist që Kosovën e paraqet si tokë serbe.
“Mesazhi i saj është i qartë: një diskurs nacionalist që e paraqet Kosovën si tokë serbe që nuk dorëzohet”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka theksuar se kjo narrativë historikisht i parapriu luftës, dëbimeve dhe masakrave në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje përzgjedhjen e saj në një aktivitet të organizuar nga institucionet evropiane.
Nagavci ka kërkuar që Bashkimi Evropian të tregojë konsistencë në qëndrimet e tij, duke mos kërkuar vetëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor të distancohen nga retorika nacionaliste, por duke zbatuar të njëjtat standarde edhe në organizimet e veta.
Ajo ka shprehur gjithashtu mbështetjen për reagimin e institucioneve të Kosovës, të cilat kanë kërkuar sqarime nga Komisioni Evropian lidhur me interpretimin e këngës.
“Ne e duam Evropën, dhe pikërisht për këtë i kërkojmë të jetë në lartësinë e vlerave të saj”, ka shkruar Nagavci.
Në fund, ajo ka ritheksuar se Kosova do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian, duke nënvizuar rëndësinë e reformave dhe dinjitetit.
“Evropa duhet të jetë hapësirë e së vërtetës dhe jo e këngëve që mohojnë Kosovën”, ka përfunduar ajo.























