Rizvanolli: Kundërmasa ndaj Serbisë për bllokimin e linjave
BKT
Lajme

Rizvanolli: Kundërmasa ndaj Serbisë për bllokimin e linjave

V.Th / RTKLive

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, përfshirë blerjen e energjisë, si kundërmasë ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtim nga Serbia.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media, tha se vendimi vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes mekanizmave ndërkombëtarë dhe Bashkimit Evropian.

Ajo bëri të ditur se Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë, në dhjetor të vitit 2025, kishte konstatuar shkeljen e traktatit dhe të ligjit nga Serbia, duke i kërkuar që deri më 1 korrik 2026 t'i lironte linjat për tregtim.

“Asgjë nuk ka ndodhur deri më 1 korrik. Ne megjithatë kemi dhënë edhe një kohë shtesë dhe kemi bërë një përpjekje të fundit përmes Bashkimit Evropian që ta zgjidhim këtë çështje. Mirëpo, përderisa po flasim, reflektim nuk ka pasur”, deklaroi Rizvanolli.

Ajo tha se më 11 nëntor i është drejtuar Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, duke kërkuar shqyrtimin e masave tregtare si kundërpërgjigje ndaj Serbisë.

“Falënderoj MINT-in për reagimin e tij të shpejtë, që pas shqyrtimit të dokumentacionit që ia kemi ofruar, duke përfshirë këtu edhe raportet e ZRRE-së dhe KOSTT-it, sot ka propozuar vendimin që e morëm, pra që të ndalohet tregtimi me kompanitë serbe – tregtimi i energjisë elektrike me kompanitë serbe – duke përfshirë këtu kompanitë serbe që kanë kompani amë, ose që kanë lidhje ose aksionarë me lidhje të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta me shtetas serbë”, tha ministrja.

Rizvanolli sqaroi se vendimi nuk nënkupton se deri më tani Kosova ka pasur shkëmbime të energjisë elektrike me Serbinë.

“Siç e kam thënë edhe shumë herë më herët, ndërmarrjet tona publike, KOSTT dhe KEK, nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe përgjatë qeverisjes sonë. Sipas informatave që i kemi nga KEDS dhe KESCO, si operator i distribucionit dhe respektivisht furnizues i shërbimit universal, as ata nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe”, theksoi ajo.

Megjithatë, ministrja nënvizoi se deri më tani tregtimi i tillë nuk ka qenë i ndaluar, ndërsa me vendimin e ri bëhet i ndaluar.

“Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka qenë e ndaluar, ndërsa nga sot është e ndaluar, dhe kjo po bëhet edhe më e rëndësishme për faktin që tani kemi më shumë furnizues në treg, më shumë tregtarë në treg, rrjedhimisht edhe është më e rëndësishme që të kemi një ndalesë të tillë”, deklaroi Rizvanolli.

Ministrja tha se Kosova kishte kërkuar lirimin e linjave ndërkufitare edhe për të mundësuar furnizimin me energji nga bursa HUPX, të cilën e cilësoi si një nga bursat më likuide të rajonit.


MË SHUME NGA Lajme