Rrustemi reagon ndaj vendimit të PZAP-së për Listën Serbe
BKT
Lajme

Rrustemi reagon ndaj vendimit të PZAP-së për Listën Serbe

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka reaguar pas vendimit të PZAP-së, për Listën Serbe.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për Listën Serbe.

Përmes këtij vendimi, PZAP-ja e ka urdhëruar KQZ-në që t’i certifikojë kandidatët e Listës Serbe për kryetarë të komunave në veri  të vendit.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Rrustemi ka shkruar se nuk kishte qenë aspak i befasuar me vendimin e PZAP-së, pasi që sipas tij, nuk është hera e parë që ky institucion merr vendime absurde.

 Reagimi i plotë i Rrustemit pa ndërhyrje:

PZAP nuk më befasoi. Nuk është hera e parë që merr vendime absurde. Ka certifikuar votues të paligjshëm nga Serbia vazhdimisht. Tre kandidatët e Listës Serbe janë refuzuar nga ana e KQZ-së sepse me aktet formale të dorëheqjes, Kosovën e kishin konsideruar pjesë të Serbisë dhe e kishin quajtur “Kosovo i Metohija”.

Në media me pas fol kështu, do të duhej të ju ndalohej kandidimi, e lëre më që kanë dorëzuar aktet e dorëheqjes nga pozita e kryetarëve të komunave, të nënshkruara, të vulosura e të protokoluara.

Ky është shpërdorim i pozitës zyrtare kundër vet shtetit.

Por, që ta mbrosh integritetin e institucioneve e të shtetit, pa dyshim që paraprakisht duhet të kesh vetë integritet. K

undërshtimi i tre kandidatëve nuk është kundërshtim i pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje. Përkundrazi, refuzimi i tyre është hapje e mundësisë për serbët që e pranojnë Kosovën si shtet dhe nuk lejojnë të përdoren nga Beogradi.

Lejimi i këtyre tre kandidatëve të Listës Serbe është si me ua financu me para të buxhetit të shtetit fushatën kundër integritetit e sovranitetit të shtetit.

Ne, si anëtarë të KQZ-së e kemi bërë detyrën tonë ligjore dhe kushtetuese, por edhe shtetërore.

I mbetet që të njëjtën ta bëjë edhe Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese.

Legjitimimi i këtyre kandidatëve do të ishte legjitimim i akteve të tilla që cenojnë integritetin dhe sovranitetin shtetëror.


MË SHUME NGA Lajme