Tahiri: Edhe 60 kosovarë janë në Siri
BKT
Lajme

Tahiri: Edhe 60 kosovarë janë në Siri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se më shumë se 135 persona janë kthyer nga lufta e Sirisë, sipas tij edhe 60 kosovarë janë akoma gjallë në zonat e luftës së ISIS.

Tahiri ka thënë se numri i qytetarëve kosovarë të kthyer në Kosovë para aksionit të 19 prillit ka qenë më i madh se sa në aksionin e marrë nga shteti i Kosovës.

“Numri i të kthyerve para 19 prillit është diku 135. Ata janë kthyer pa ndonjë organizim, por dikush mund të jetë ndihmuar nga shteti i Kosovës. Llogaritet se rreth 60 kosovarë që ne mendojmë se janë gjallë, janë ende në zonat e luftës. Një pjesë e tyre janë kapur nga regjimi i Asadit, ndërsa ka edhe gra që kanë mbetur ende atje”.

Ai ka thënë se nga operacioni i shtetit të Kosovës në Siri ka qenë një problem shumë i madh kthimi i nëntë jetimëve, që u janë vrarë te dy prindërit në Siri.

“Këto tri javët e fundit personalisht kam pasur trauma. Ka qenë një situatë ku kemi pasur përgjegjësi të madhe. Vështirësia e madhe ka qenë kthimi i nëntë jetimëve pa asnjërin prind. Na u paraqit një vështirësi e madhe pasi nuk kishin as dokumente identifikimi. Nuk donim të merrnim në avion fëmijë që nuk ishin të Kosovës”, tha ndër të tjera Abelard Tahiri për RTV Dukagjini


MË SHUME NGA Lajme