Ahmeti për Samitin e Berlinit: Thuhet se Gjermania ka propozim
Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i delegacionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë, ka thënë se në takimin e 29 Prillit në Berlin po thuhet se nga Gjermania pritet propozim në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi.
“Është takim i rregullt në kuadrin e procesit të Berlinit ku ftohen udhëheqësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi çështje të sigurisë, çështjet e integrimeve dhe në marxhinat e këtij takimi është diskutuar që do të mbahet edhe një takim ku do të diskutohet dialogu. Me ju tregu të drejtën, nuk presim ndonjë ndryshim të madh të situatës. Kishte paralajmërime se këtu do të bëhet marrëveshja, mund të ketë gjëra të tilla, por nuk është ashtu. Më shumë ka të bëjë me definimin, apo me e thënë kështu, të marrin ide se si mund të shkojë procesi përpara. Pra, Gjermania dhe Franca, për herë të parë në këtë proces të dialogut, në këtë nivel, kyçen dhe mundohen të marrin rolin e saj si Bashkim Evropian, për të ndikuar në proces”, ka theksuar ai për "Zërin e Amerikës".
Ai është shprehur se të gjitha shtetet pajtohen që gjatë këtij viti të arrihet marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Çfarë është e vërteta unë e thashë edhe dje në konferencën që kemi patur. Ideja është që deri më tani është diskutuar më shumë, edhe këto kanë qenë spekulime, mbi ndryshimin e kufijve; ndërsa tash po thuhet se Gjermania vjen me një propozim të ri. Është e vërtetë që ka diskutime që po ndodhin në rrafshin ndërkombëtar, në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve evropianë. Por, nuk ka me thënë që aty do të jetë një propozim, i cili duhet të pranohet apo refuzohet. Jemi ende në fazën e fillimit të dialogut politik për të bërë një marrëveshje. Por, e vërteta është se të gjitha këto shtete pajtohen se ka gjasa dhe ka mundësi që sivjet të arrihet një marrëveshje. Por, që ju e dini që tashmë për disa muaj procesi është i bllokuar”, ka thënë Ahmeti.























