Liverpool vazhdon ëndrrën, demolon Huddersfield
Skuadra e Liverpool nuk e ka ndërmend të dorëzohet në garën për titullin e Premierligës.
Në ndeshjen e luajtur sot, lojtarët e Jurgen Klopp kanë demoluar skuadrën e Huddersfield Town, me rezultatin 5:0.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për xhiron e 36-të në Premierligë, xhiro kjo që përsëri gjen një lider tjetër në krye të tabelës.
Serinë e golave në ndeshjen ndaj skuadrës së Florent Hadergjonaj e hapi Naby Keita, i cili realizoi pas vetëm 30 sekondave lojë, shkruan lajmi.net.
Ishte Sadio Mane i cili në minutën e 23’ veçse vulosi fatin e fituesit në këtë takim, kur realizoi për 2:0.
Goli i tretë erdhi nga egjiptiani Mohamed Salah, i cili në minutën e 45’ tundi për herën e tretë rrjetën e mysafirëve.
Deri në fund të takimit, ishin Mane e Salah që shënuan edhe nga një herë, në minutat 66’ dhe 83’.
Me këtë fitore, Liverpool rimerr kreun e tabelës, me 91 pikë, dy më shumë se Man City, të cilët luajnë të dielën kundër Burnley.























