Neglizhenca e gjykatave lë brenda vendit qytetarë "refugjatë"
BKT
Lajme

Neglizhenca e gjykatave lë brenda vendit qytetarë "refugjatë"

Leonora Bërbatovci

Avokati i Popullit Hilmi Jashari e konsideron shkelje të të drejtave të njeriut, zvarritjen e lëndëve nga ana e gjykatave. Ai kërkon kompensim material nga shteti për dëmet që po u shkaktohen qytetarëve.

Fadil Igrishta, banesën ku është rritur e ka vetëm pak metra larg prej ku banon aktualisht. Por, tash e 20 vjet ai privohet nga e drejta për të shfrytëzuar pronën e vet, e cila gjendet në veri të Mitrovicës, sikurse shumë shqiptarë të tjerë të kësaj ane. Përgjatë këtyre viteve, ai ka ndërruar disa lokacione me qera, duke u shëndrruar kështu edhe në rast social.

"Menjëherë pas luftës në fund të '99-ës, e kemi vizituar dhe më s'kemi qenë kurrë. Bash sikur refugjat ndihem qe 20 vjet. 300 metra nuk e kam pronën dhe jam me qera. Kam qenë në Pejë, kam qenë në Skëndëraj, e tani kohën e fundit në pjesën jugore... tash në pjesën veriore qe 4 vjet", ka thënë Igrishta për RTK-në.

Derisa Fadili nuk arrin as ta vizitojë pronën e tij, Milorad Gjokoviqi, serb nga Vitomirica e Pejës, pronën që pretendon të jetë e tij, e viziton, por, nuk mund ta shfrytëzojë. Tash e më shumë se 5 vjet ai ballafaqohet me gjykata për të kërkuar të drejtën e pronësisë në tokën për të cilën thotë se e bleu në vitin '96.

"Ma kanë marrë shtëpinë e pllacin me arsyen se unë e kam falsifikuar dokumentacionin. Nuk kam mundur që nga të gjitha organet ta falsifikoj... Gjykimi i parë më ka zgjatur 3 vjet e gjysëm, ku kam pritur. Tani janë bërë 2 vjet që kur pres për procesin tjetër të gjykimit. Shumë njerëz po presin. Jo vetëm rasti im. Vërtetë gjykatat po vonohen shumë, është e vështirë. Secili njeri duhet të niset nga vetja. Kalon afër shtëpisë të cilën e ke ndërtuar në themele dhe nuk mund të vazhdosh të punosh më tutje në të. është ndjenjë e vështirë", thotë Gjokoviq për RTK-në.

Gjendje më e mirë nuk është as tek komuniteti rom. Benfik Kurteshi i cili është lindur e rritur në Prishtinë, prej pas luftës është detyruar të jetojë me qera në Gjilan për shkak të pamundësisë së shfrytëzimit të pronës së tij. Ai pretendon t'ia kenë shitur shtëpinë me dokumenta fals derisa me vite të tëra po pret një vendim nga gjykata.

"Shtëpia është shitur me dokumenta fals. Por tash jam në gjyq qe 3 vjet e gjysmë dhe gjyqi asnjë përgjigje s'po na japin. Problemi është që Gjykata po e vonon shumë. Unë po rri me qera me fëmijë e gru këtu... Nuk e di si me ja bo nëpër sokaka... Unë e kam shtëpinë time në Prishtinë. Pse me nejt në Gjilan me qera...unë po du në tokën tem...", shprehet Kurteshi për RTK-në.

Fadili, Miloradi dhe Benfiku janë të komuniteteve të ndryshme, por e kanë të njëjtin atdhe. Por, jo të gjithë nga ta do të ndjenin siguri për të jetuar aty ku dikur kanë jetuar. i pasigurtë në pronën e tij ndihet Fadil Igrishta.

"Jo nuk mbaj shpresa. Prindi u vra aty. Ka plotë serbë aty. Të gjithë i kanë shitë banesat....Tash në pronë time jeton një police e pjesës së Vranjës", thotë Igrishta.

Përkundër që ka dëshirë të kthehet në pronën e tij, edhe Miloradi ka dyshime nëse do të kthehej.

" Unë do të dëshiroja të kthehem dhe të vazhdoj ndërtimin e shtëpisë. Por, pas këtyre problemeve dhe neglizhencës së gjykatave do ta shqyrtoj me familjen. Nuk jam i sigurtë, sepse e shihni se si është sistemi i drejtësisë. Pavarësisht nacionaliteteve. shqiptarëve serbëve apo romëve. Duhet t'ia pranojmë këtë vetes. Kosova po synon integrimet evropiane, por me këto gjykata dhe këtë drejtësi është vërtetë vështirë", thotë ai.

Ndryshe nga këta, Benfiku i komunitetit rom, insiston që të kthehet në pronën e tij në Prishtinë.

"Po, po, po, sot jam i gatshëm i të kthehem në shpinë time në Prishtinë. Pse me nejt n'Gjilan kur e kam tokën time në Prishtinë", thotë ai.

Të gjitha këto raste kanë një adresë të përbashkët. Ata ankohen se gjykatat nuk po e kryejnë punën e tyre, duke bërë kështu që shumë nga ta të jetojnë si refugjatë në vendin e tyre. Këtë konstatim e mbështet edhe Avokati i Popullit. Hilmi Jashari konsideron se mos vendosja e drejtësisë në një afat kohor optimal përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Megjithatë ai thotë se ekziston një zgjidhje për këto raste.

"Një nga propozimet e fundit që ne kemi bërë në Këshillin Gjyqësor ka qenë nisma e një ligji që parasheh kompensimin e qytetarëve për zvarritje të procedurave. Kushtetuta e vendit ka standarde të larta për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Gjithashtu është shumë e rëndësishme të përmendet se konventa evropiane për mbrojtje të të drejtave të njeriut të zbatohet drejtpërdrejt në sistemin tonë juridik dhe përbën supermaci ndaj ligjeve vendore. Ky standard nënkupton që qytetarët, në momentin kur konstatohet shkelja, duhet të kompensohen dhe shteti është ai që duhet ta bëjë prej buxhetit të vet kompensimin për qytetarin si pasojë e shkeljeve që ka bërë në kuptimin e rikuperimit apo rivendosjes së të drejtës që është shkelur. është mekanizmi i vetëm që është në dispozicion të shtetit dhe qytetarëve për të rikuperuar dëmet që u bëhen për të drejtat e njeriut", thotë Jashari për RTK-në.

Ndërsa nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk kanë dhënë sqarime për arsyet e lëndëve të grumbulluara dhe pritjet me vite të qytetarëve për të realizuar të drejtat e veta për pronësinë. Ata kanë dhënë statistika të cilat pasqyrojnë lëndët e grumbulluara. Qysh në fillim të vitit 2018 në KGJK kanë qenë të regjistruara 524 lëndë të pazgjidhura. Derisa gjatë këtij viti janë pranuar edhe 263 lëndë të tjera duke bërë që gjatë këtij viti gjithsej të jenë nëpër gjykata 787 lëndë për sa i përket cështjes së pronave.

Përgjatë 2018-ës gjykatat në Kosovë kanë arritur të zgjidhin 257 lëndë, duke bërë që sërish në fund të këtij viti në sirtarët e gjykatave të vazhdojnë të presin edhe 530 raste.

Derisa nga agjencia për krahasimin dhe verifikimin e pronës bëjnë të ditur se nuk kanë të dhëna të përgjithshme për sa i përket pronave të uzurpuara përveç rasteve që janë paraqitur në këtë agjenci për ndërmjetësim. Të tilla janë 42 mijë e 116 raste të paraqitura, prej të cilave 40 mijë e 447 janë proceduar për zbatim.

Bazuar në këto të dhëna, kjo Agjenci bën të ditur se deri më tani ka ekzekutuar 8 mijë 178 urdhra për dëbim, në tërë territorin e Kosovës duke dëbuar uzurpuesit ilegalë nga pronat e parashtruesve të suksesshëm të kërkesave. Ndërsa janë parashtruar 449 kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit për riuzurpim të pronave që janë objekt i kërkesave.

 


MË SHUME NGA Lajme