Mustafa: S`ka marrëveshje me Serbinë pa një zë të përbashkët të Kosovës
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka komentuar Samitin e Berlinit që u mbajt dje, e ku krahas liderëve të Kosovës morë pjesë edhe ata të Serbisë dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Mustafës mesazhi i këtij takimi ishte që Evropës i duhet një Ballkan Perëndimor pa konflikte e kriza. Ndërsa thotë se u dëshmua se për marrëveshjen Kosovë-Serbi vendosin vetëm këto dy shtete me ndërmjetësim të BE-së.
“Nuk ka qenë e pritshme që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të vendosnin për çështjet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të tillë. Për këto çështje vendoset në takimet e këtyre dy vendeve me ndërmjetësim të BE-së ( pasi të kryhen zgjedhjet ne PE) dhe me një rol të fuqishëm të SHBA-së”, shkruan Mustafa në Facebook.
Deklaratat e Presidentit Thaçi se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë sipas kreut të LDK-së, ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyer ata në Kosovë, dhe se u shuan bashkë me unitetin e delegacionit.
“U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashkë aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë”, thekson tutje Mustafa.
Sipas tij, është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje.
“Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë”, shkruan në fund Mustafa.























