"Libri i luftës" mirëpritet edhe në Gjenevë
Sugjerohet që “libri i luftës” përkthehet edhe në gjuhë të huaja
Të hënën mbrëma,“Libri i luftës” i autorit, gazetarit dhe publicistit Nuhi Bytyçi u promovua edhe në mesin e bashkatdhetarëve tanë që punojnë e jetojnë në Kantonin e Gjenevës të Zvicrës. Organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në këtë promovim publik, morën pjesë shumë bashkatdhetarë nga të gjitha viset etnike shqiptare, si dhe përfaqësuesi i Misionit të Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe të organizatave tjera ndërkombëtare në Gjenevë, z. Bujar Bala.
“Libri i luftës” me memoaret e Bytyçit u mirëprit edhe nga bashkëkombasët tanë në Gjenevë, nga se në të përveç ngjarjeve historike në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare, është përfshirë në mënyrë të veçantë edhe kontributi i diasporës shqiptare në të gjitha proceset, e veçmas gjatë periudhës së luftës për liri, pavarësi të Kosovës dhe të drejtat e plota kombëtare.
Një fjalën përshëndetëse shefi i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Gjenevë, ambasadori Ramadan Avdiu potencoi rëndësinë e botimit të “Librit të luftës” të Nuhi Bytyçit, duke e konsideruar atë si arkiv e thesar të begatshëm dhe shumë profesional lidhur me ngjarjet me peshë të veçantë për historinë tonë më të re kombëtare. Avdiu vlerësoi se institucionet tona duhet të mbështesin projektet e tilla dhe tua paraqesin edhe opinionit botëror dhe institucioneve relevante ndërkombëtare. Mu për këtë ai sygjeroi që “Libri i luftës” duhet të përkthehet dhe botohet edhe në gjuhën angleze, gjermane, franceze, spanjolle dhe serbe. E vërteta për Kosovën dhe shqiptarët, sidomos lufta e drejtë e UÇK-se, krimet, masakrat dhe gjenocidi serb mbi popullin shqiptar, edhe 20 vjet pas luftës duhet të paraqiten në mënyrë shkencore, profesionale para botës demokratike, pohoi Ramadan Avdiu.
Ndërkaq, veprimtari Agim Paçarizi, duke i bërë një vlerësim përmbajtjes së “Librit të luftës” e çmoi atë si kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm publicistik, por edhe me vlera historike për proceset kryesore nëpër të cilat kaloi populli shqiptar në Kosovë dhe ne viset e tjera etnike shqiptare në Ballkan. Drama e popullit tonë gjatë 40 viteve të fundit, është prezantuar në mënyrë të argumentuar, me të dhëna historike dhe me fotografi. Kështu, ky libër mund tu shërbejë në mënyrë të posaçme shkencëtarëve të ndryshëm, sidomos historianëve për ta shfrytëzuar atë si arkiv të mirë për të kompletuar historinë tonë më të re kombëtare, pohoi Paçarizi.
Edhe përfaqësuesi i Misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Gjenevë, z. Bujar Bala, shprehu bindjen e tij të thellë se “Libri i luftës”, është një dhuratë e çmueshme e gazetarit dhe publicistit Nuhi Bytyçi, i cili në vazhdimësi ka raportuar nga ngjarjet historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe populli shqiptar në përgjithësi gjatë 4 dekadave të fundit.
Për sakrificën e popullit shqiptar gjatë rrugëtimit të tij drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e cila është prezantuar denjësisht në këtë vepër, folën edhe Taulant Gashi, Basri Misini, Burbuqe Avdiu, luftëtari i lirisë Reshat Sahitaj, Arbër Gashi e të tjerë.
Pjesëmarrësit e këtij promovimi, i shtruan edhe një varg pyetjesh autorit të “Librit të luftës”, Nuhi Bytyçit, i cili iu përgjigj në mënyrë shumë të argumentuar dhe të matur.
Autori Bytyçi edhe me këtë rast ritheksoi se me botimin e këtij libri, ka realizuar obligimin e tij profesional dhe kombëtar që para opinionit shqiptar dhe atij botëror, të paraqesë në mënyrë reale sakrificën e madhe të popullit shqiptar të Kosovës drejt lirisë e pavarësisë së plotë të Kosovës, por edhe përpjekjet e popullit shqiptar në trojet e veta shekullore në Kosovën lindore, në Maqedoni e Mal të Zi për të drejta të plotë kombëtare dhe integrim në familjen e madhe evropiane.
Nuhi Bytyçi, i cili si gazetar gjatë kohës së luftës gjeti strehim dhe përkrahje në familjen e dëshmorit, heroit të Kosovës Sadik Shala, falënderoj familjen Shala të Kleçkës dhe përshëndeti në mënyrë të veçantë birin e tij Minatorin dhe vëllain Shefshetin, të cilët jetojnë dhe punojnë në Zvicër.
Bytyçi vlerësoi lart kontributin e kësaj familje heroike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai pohoi se kur po e shoh Minatorin e ri, po më duket se po e shoh babain e tij dëshmor lirie, Sadikun, të cilin e kishte takuar në vijën e parë të frontit të Bajrak të Luzhnicës dhe në fushëbeteja të tjera në Llapushë e Anadrini.
Biri i heroit të Kosovës Sadik Shala e përgëzoi autorin e librit Nuhi Bytyçin, si tha ai: “për shkrimin real të historisë më të re të popullit shqiptar të Kosovës, sidomos të luftës së lavdishme të UÇK-së”. Minatori shtoi se “e ndiej mungesën e babait, por jam krenar që e pa dhe që u sakrifikua për lirinë dhe shtetin e Kosovës”.
Edhe vëllai i heroit të Kosovës, Sadik Shalës – Shefsheti e vlerësoi lart përkushtimin e gazetarit e publicistit – Nuhi Bytyçit, sidomos gjatë periudhës së luftës së lavdishme të UÇK-së për liri e pavarësi.
Ndërkaq, Nuhi Bytyçi falënderoi Ministrinë e Kulturës të Republikës së Kosovës dhe afaristin e mirënjohur Lazim Destani për mbështetjen e tyre për botimin e “Librit të luftës”, recensentin Bajram Kosumin, redaktorët Haqif Mulliqi e Muhamet Mavrajn, autorin e ballinës dhe të fotografive artistike Avni Selmanin, dizajnerin Luan Tashin, shtëpinë botuese “Armagedoni”, si dhe birin Ariantin për inkurajim për botimin e këtij libri. Ai njëherësh shprehu bindjen se institucionet Republikës së Kosovës në të ardhmen do ta mbështesin botimin e tij edhe në gjuhën angleze dhe gjuhë të tjera. Ai këtë e argumentoi me faktin se Serbia e Rusia po botojnë me qindra libra dhe po realizojnë filma dokumentarë kundër Kosovës























