Thaçi: Asnjë segment i krimit serb nuk bën të heshtet
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se rrëfimi i Vasfije Krasniqit para anëtarëve të Kongresit amerikan, edhe njëherë dëshmoi përmasën e dhunës, krimit dhe gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullatën e paarmatosur shqiptare në vitet 1998, 1999.
Postimi i Thaçit në Facebook:
Rrëfimi i znj. Vasfije Krasniqi para anëtarëve të Kongresit amerikan edhe njëherë dëshmoi përmasën e dhunës, krimit dhe gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullatën e paarmatosur shqiptare në vitet 1998, 1999. Ky rrëfim ngjalli emocione të forta para anëtarëve të pranishëm në Kongresin amerikan. Edhe pas 20 vitesh askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre vrasjeve, dhunimeve, masakrave dhe veprimeve gjenocidale gjatë luftës në Kosovë, nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare. Iniciativa e znj. Vasfije Krasniqi për ta thënë publikisht përjetimin tragjik është shprehje e guximit të saj të lartë qytetar. Asnjë segment i krimit serb nuk bën të heshtet, sado i dhembshëm që të jetë!























