Veseli: Në vend të studimeve iu deshtë të merrte armën e lirisë
BKT
Lajme

Veseli: Në vend të studimeve iu deshtë të merrte armën e lirisë

Në Gllogjan sot u mbajtën homazhe për Agim Selmanajn, i cili para 20 vjetësh ra dëshmor si ushtar i UÇK-së në moshën 20-vjeçare.

Në mesin e të ftuarve, të pranishëm ishin edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, të cilët pasi vendosën kurora lulesh tek varri i Agimit, iu drejtuan të pranishmëve me fjalë rasti.

“Për pak ditë, me 11 qershor ne do ta festojmë 20-vjetorin e çlirimit të vendit. Ne jemi duke përkujtuar duke nderuar të rënët tanë. Sot ne Gllogjanin e lirisë, të UÇK-së, kujtojmë po ashtu një hero të Kosovës, një djalë të ri, Agim Selmanajn. Ai atëherë nuk kishte më shumë se 20 vjet dhe në vend se të merrte jetën e studimit, Agimit iu deshtë ta merrte armën e lirisë”.

“Kështu ishte situata e kombit në atë kohë. Në vend se ta gëzonte jetën si 20-vjeçar, atij iu deshtë ta jepte jetën. Ky është amaneti që për asnjë hap të mos lëvizim prapa, por ta ruajmë këtë shtet dhe të punojmë edhe më shumë duke e dashur atë, duke punuar ndershmërisht që bashkëmoshatarët e Agimit sot të kenë perspektivë më të mirë në shtetin e vetë”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.

Ndërkaq, Haradinaj lavdëroi familjen Selmanaj, duke e vënë në pah se ndër breza i janë kushtuar lirisë së vendit, marrë parasysh edhe që baballarët dhe axhallarët e kësaj familjeje u mbajtën edhe si të burgosur politikë.

Në emër të familjes Selmanaj, deputeti Rasim Selmanaj i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë nderim të dëshmorëve, duke i thënë se është mirënjohës që tash e 20 vjet i kanë nderuar si familje.


MË SHUME NGA Lajme