Sonte fillon seria finale në Superligën e basketbollit
Sot me fillim nga ora 19:00 në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të zhvillohet ndeshja e parë finale e play-offit në Superligën e Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Rahovecit.
Rahoveci në gjysmëfinale triumfoi me seri 3:0 kundër Golden Eagle Yllit, kurse Prishtina me të njëjtin rezultat në seri e mposhti Bashkimin.
Prishtina i ka fituar të gjitha ndeshjet e edicionit të rregullt, ndërsa kishte mposhtur Rahovecin në finale të Kupës së Kosovës, garë në të cilën, po ashtu, nuk kishte disfata.
Kampion i Superligës së Kosovës do të shpallet ekipi që i pari arrin tri fitore.
Finalja e play-offit zhvillohet sipas formatit vajtje – ardhje.
Përparësinë e terrenit vendas e ka ekipi që ka qenë më mirë i ranguar në edicionin e rregullt dhe luan si vendës në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5.























