Mourinho “thumbon” kolegët: Pep, një fëmijë që i blejnë çdo lodër
José Mourinho vijon të jetë pa një skuadër, edhe pse kanë kaluar kaq shumë muaj që nga largimi i tij nga stoli i Manchester United.
Por, si gjithnjë, portugezi nuk e ka humbur sensin thumbues, këtë herë duke provokuar me deklaratën trajnerin e Liverpoolit, gjermanin Jurgen Klopp, pa harruar rivalin e tij të përjetshëm, Pep Guardiolën.
Do të isha shumë i lumtur nëse do të kisha pasur shanse të barabarta me Jurgen Klopp apo Pep Guardiolën në klube. Nëse Manchester United do të kishte mbështetur vizionin tim për përforcimin e skuadrës, rezultatet do të kishin qenë të ndryshme, shumë më pozitive. Liverpooli është një skuadër me fytyrë të re nga ajo që mori para tre vitesh Jurgen klopp, thuajse gjysma e skuadrës janë përforcime që i ka zgjedhur ai vetë, sikurse edhe tek City Pep Guardiola është përkëdhelur si një fëmijë që i blejnë çdo lodër që kërkon.
Durimi që klubet angleze kanë treguar dhe po tregojnë me trajnerët e tyre, thekson më tej Mourinho, është një bonus i madh për këta të fundit.
“Jurgen Klopp ka marrë drejtimin e “The Reds” prej tre vjetësh dhe nuk ka fituar absolutisht asgjë dhe megjithatë vijon të ketë besimin dhe mbështetjen e drejtuesve dhe tifozëve të klubit, për të ecur përpara. Për këtë arsye kam vendosur që të mos nis asnjë aventurë të re pa diskutuar në detaje strukturën e projektit dhe objektivat afatgjatë./SS/























