Gazetari gjerman i ARD-së rikujton tmerret e luftës në Kosovë
Gazetari gjerman Elias Bierdel, ka mbajtur një ligjëratë sot para studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë. Bierdel, që për shumë vite ka punuar për radion publike të Gjermanisë, ARD, ka ndarë me të pranishmit përvojat e tij nga raportimi prej Kosove në vitet 90’të.
Bierdel ka qenë një nga gazetarët e rrallë të huaj që ka qëndruar në Prishtinë edhe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, dhe ka raportuar deri në momentin kur mediumi për të cilin punonte e ka urdhëruar të lëshonte Kosovën.

Bierdel tregoi se udhëtimin e parë në Kosovë e kishte bërë në vitin 1996, pasi kishte biseduar me një shqiptar në Gjermani, i cili i kishte shpjeguar gjendjen e rëndë në Kosovë. Bierdel tha se kishte dyshimet e veta për tregimin e shqiptarit nga Kosova, pasi në atë kohë nuk besonte se mund të ndodhte diçka e tillë në zemër të Evropës.
Mirëpo, ai mbeti i habitur kur erdhi në Kosovë dhe e vërtetoi se gjendja ishte edhe më e rënde se sa çfarë i kishte thënë miku shqiptar.
Me t’u kthyer në Gjermani ai kishte realizuar një reportazh për gjendjen në Kosovë, për radion gjermane “Deutschlandfunk” që e kishte titulluar “Aparthejdi në zemër të Evropës”, mirëpo redaktorëve u ishte dukur shumë e rëndë dhe e kishin riemëruar në “Përditshmëria në Kosovë”. Para auditorit u dha reportazhi i plotë, ku dokumentohej represioni që regjimi i Serbisë ushtronte në Kosovë.

Pas kësaj, Elias Bierdel ishte kthyer edhe shumë herë në Kosovë si korrespondent i Radios Publike ARD dhe, siç e dëshmon edhe vetë, ka qenë prej gazetarëve të rrallë të medieve gjermane që ka shkuar në terren dhe ka vërtetuar nga dora e parë krimet që bëheshin nga forcat serbe në gjithë Kosovën.
Ai dëshmoi se kur kthehej në Prishtinë, kërkonte sqarime nga Ministria e atëhershme e Informatave e regjimit të Millosheviqit, se pse po granatoheshin fshatrat dhe pse po përdoreshin tanket, për të marrë përgjigjen nga zyrtarët serbë se ushtria po bënte manovra dhe se ishte e kuptueshme se ata diku duhej të përdorimin edhe municionin.
Bierdel kishte insistuar të qëndronte në Kosovë edhe pas fillimit të bombardimeve ndaj caqeve serbe. Ai ishte strehuar në një familje shqiptare në Taslixhe, prej ku, edhe me ndihmën e familjarëve shqiptarë, mundohej të konfirmonte lajmet për ngjarjet dhe përgatiste kronikat e tij për edicionet e ARD-së.
Specifikisht, Bierdel foli për rastin e vrasjes së avokatit të shquar, Bajram Kelmendi dhe dy bijve të tij që kishte ndodhur në ditët e para të bombardimeve. Ai foli për urrejtjen e madhe të forcave serbe të cilat kishin shfryrë mllefin e tyre me më shumë se njëqind plumba në trupat e viktimave, si dëshmi që nuk e kishin intencën vetëm t’i privonin nga jeta por edhe të shfrynin egërsinë e tyre.
Të brengosur për sigurinë e gazetarit të tyre, Radio ARD e kishte urdhëruar Bierdelin të largohej nga Kosova. Ai kishte pranuar të ikte nga Kosova, vetëm pasi ARD-ja i kishte thënë se nuk do t’ia transmetonte më kronikat, dhe i vetëdijshëm se po rrezikonte edhe familjen shqiptare, ai i kamufluar si punëtor humanitar mori rrugën drejt Maqedonisë. Në Ferizaj ai ishte arrestuar nga forcat serbe dhe ishte keqtrajtuar nga ushtria dhe policia serbe, për të cilët ai tha që ishin në të njëjtën komandë qendrore. Aty ai kishte parë me qindra shqiptarë të keqtrajtuar dhe të ngujuar në ndërtesën e policisë. Pas një alarmi për bombardime, ai ishte evakuuar nga ndërtesa, ndërsa shqiptarët ishin urdhëruar të shkonin në bodrumin e saj, që po të bombardohej ajo, shqiptarët të ishin viktima të sulmit të NATO-s.

Bierdel kishte arritur të shkonte në Maqedoni prej ku kishte raportuar deri në ditën e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Ai ishte ndër gazetarët e parë që kishte hyrë në Prishtinë më 12 qershor 1999.
Bierdel pastaj kishte raportuar për tmerret e luftës, vrasjet, shkatërrimet e shtëpive dhe të pasurisë.
Ai tha se personalisht është kundër zgjidhjes së konflikteve me luftë, por konfirmoi se në rastin e Kosovës kjo u bë krejt e pamundur, pasi politika paqësore e Ibrahim Rugovës nuk ishte përkrahur sa duhet nga bashkësia ndërkombëtare dhe forcat serbe duhej të ndaleshin për të mos zhdukur një popull të tërë.
Përvoja e Kosovës dhe takimi me refugjatët, e kishin bërë Elias Bierdelin të merrej më shumë me ndihmë ndaj njerëzve në nevojë se sa të raportonte për mjerimin e tyre.
Më vonë, Bierdel e la gazetarinë për t’u bërë udhëheqës i organizatës humanitare “Cap Anamur”. Edhe sot ai merret me të drejtat e refugjatëve dhe integrimin e tyre në shoqëri./RTKlive























