VIDEO-Kushtet e gazetarëve në Kosovë nuk janë të mira
BKT
Lajme

VIDEO-Kushtet e gazetarëve në Kosovë nuk janë të mira

RTKlive

3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Besiana Krasniqi anëtare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tha se sot kjo ditë në Kosovë kjo ditë do të shënohet me aktivitete të ndryshme.

“Sot kushtet e gazetarëve në Kosovë nuk janë të mira, gazetarët në media të ndryshme punojnë pa kontrata pune, një pjesë e gazetarëve punojnë pa orar”, tha ajo sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Sipas saj këtë vit do të ketë aktivitet me institucionet e Kosovës për të inspektuar mediat.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), më 3 maj, do të shënojë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. AGK do të organizojë disa aktivitete me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e lirisë së medias dhe respektimit të lirisë së shprehjes, të garantuar me nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Më 2 maj, në llogaritë e rrjeteve sociale të stafit dhe në ueb faqen e AGK-së është shfaquar një karikaturë e cila paraqet problemet kryesore të gazetarëve në Kosovë.

Më 3 maj, AGK do të fillojë aktivitetet me një instalacion artistik të vendosur në qendër të qytetit që do të përçojë mesazhin e fjalës së lirë, një e drejtë themelore për dinjitetin njerëzor, rëndësinë e lirisë së shprehjes, sigurinë dhe kushtet e punës së gazetarëve si dhe përmbushjes së misionit të tyre.

Në bashkëpunim dhe mbështetje nga Misioni i OSBE-së në Kosovë (OSCE), Zyra e Koordinatores për Zhvillim (të OKB-së në Kosovë) dhe UN WOMEN - Entiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizim të Grave, AGK do të organizojë gjithashtu një tryezë debati për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve me përfaqësues të medieve, shoqërisë civile dhe të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë. AGK gjithashtu do të ndajë dy çmime: Çmimin e gazetarisë për fuqizimin e grave dhe Çmimin e gazetarisë për ekonomi “Ibrahim Rexhepi”.

 

Ndryshe në raportin vjetor të Organizatës Botërore “Reporterët pa Kufij” për vitin 2018, Kosova është renditur në pozitën e 78-të ose katër pozita më lartë se në vitin 2017, ku renditej në vendin e 82-të.


MË SHUME NGA Lajme