Vuçiq shkon në Tiranë, do të bisedojë me Mogherinin për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të udhëtojë me 8 maj në Romë për t’u takuar me zëvendëskryeministrin e Italisë, Matteo Salvini.
Mediat serbe raportojnë se temë kryesore e këtij takimi do të jetë dialogu me Kosovën.
Takimi mes Vuçiq dhe Salvinit pritet të jetë i mbyllur për mediat.
Në mbyllje të takimit në Romë, Vuçiq do të udhëtojë në mbrëmje drejt Tiranës për t’u takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini në kuadër të procesit ‘Brdo-Brioni’ i cili do të mbahet në kryeqytetin shqiptar për dy ditë, transmeton oranews.
Edhe te takimi mes Vuçiqit dhe Mogherinit temë diskutimi do të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo do të jetë vizita e dytë e Aleksandër Vuçiq në Shqipëri, por e para si president i Serbisë.
Në maj të 2015 ai e vizitoi Tiranën në cilësinë e kryeministrit të Serbisë.























