Nxënësit e shkollave të Kosovës nuk janë të sigurt nga përdorimi i drogave
BKT
Lajme

Nxënësit e shkollave të Kosovës nuk janë të sigurt nga përdorimi i drogave

Albana Karaj

Nxënësit e shkollave të Kosovës nuk janë të sigurt nga përdorimi i drogave. Rastet e përdoruesve të substancave narkotike janë shtuar edhe te fëmijët nëpër shkolla fillore. Edhe pse vazhdimisht është punuar në vetëdijesimin e të rinjve për parandalimin e konsumimit të drogave, megjithatë përdorimi i tyre vazhdon të mbetet një problem në rritje. Se sa përdoret droga në shkolla nuk ka ndonjë të dhënë në nivel kombëtar.

Përdorimi i drogave në shkolla mbetet një dukuri shqetësuese që sa vjen e rritet. Kjo bëhet edhe më shqetësuese, pasi të dhënat tregojnë që çdo ditë e më shumë po bie mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës në krahasim me vitet e kaluara. Psikologja e Shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, Rukije Vllasa-Basha, tha për Radio Kosovën se shkolla ka krijuar mekanizma të mirë për të parandaluar fëmijët nga dukuritë negative. Megjithatë, ajo tha se ka fëmijë që përdorin duhan dhe se ky është një faktor që të çon edhe drejt përdorimit të drogave.

Psikologja Basha, tha se për rastet e dyshuara, shkolla menjëherë merr masat duke lajmëruar prindërit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Radio Kosovën se nga tetori i vitit 2017, ka në zbatim Urdhrin Operativ “Stop Drogave në Shkolla”. Në kuadër të këtij urdhri, Radio Kosova ka mësuar se nga atëherë e deri në janar të këtij viti janë hapur 678 raste, prej tyre: 153 raste në shkolla dhe rreth tyre, 18 raste brenda objekteve të shkollave,  68 raste në oborre të shkollave, 67 raste jashtë oborreve të shkollave apo 44%, 525 në perimetrin e zonës 350 m dhe jashtë perimetrit të sigurisë se shkollave.

Ndërkohë, Strategjia shtetërore kundër narkotikëve dhe plani i veprimit 2018-2022, i obligon të gjitha institucionet për të vepruar. Valmir Gashi nga Ministria e Arsimit, tha se Ministria ka një rol të rëndësishëm në fushën e parandalimit dhe vetëdijesimit, nëpërmjet hartimit të kurrikulave, dhe bashkëpunimit me institucionet e tjera për realizimin e  aktiviteteve në parandalimin e dukurive negative.

“MASHT brenda fushëveprimit të saj temat për parandalimin e dukurive negative për nxënësit në shkolla, i trajton bazuar në  plan-programin mësimor, ku temat për dukuritë negative ligjërohen apo mësohen në shkolla përmes Lëndës Edukatë Fizike Sportet dhe Shëndeti, ku mësimdhënësit janë të obliguar që në kuadër të konceptit: Vetëdijesimi për ndikimin e përdorimit të substancave që krijojnë varshmëri, të  realizojnë këto tema në klasë.”

Sa i përket rasteve të përdorimit të substancave narkotike në shkollat në Kosovë, ende nuk është kryer ndonjë anketim i popullatës së përgjithshme mbi përdorimin e substancave narkotike. Gashi tha se Ministria nuk mund të thotë ndonjë shifër të saktë për numrin e  konsumuesve të drogës, pa pasur hulumtime gjithëpërfshirëse.

Ministria e Arsimit bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Policinë e Kosovës dhe brenda fushëveprimit të tyre realizojnë aktivitete vetëdijesimi me nxënës.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Radio Kosovën se në shkolla dhe rreth tyre janë arrestuar 198 persona të dyshuar, prej tyre 66 nxënës. Ndërsa, në perimetrin e sigurisë dhe jashtë saj, janë arrestuar gjithsej 644 persona të dyshuar, prej tyre 242 nxënës. Prej 198 personave që janë arrestuar në shkolla dhe rreth tyre, 49 janë shpërndarës, ndërsa 149 përdorues ose 75% .


MË SHUME NGA Lajme