Serwer: BE t’ua japë vizat kosovarëve, në këmbim të heqjes së taksës
Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, nuk pret që në takimin e 1 korrikut në Paris të arrihet ndonjë marrëveshje e gjerë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë për të zhbllokuar dialogun e Brukselit, ai ka një ide se si duhet të ecin gjërat në kryeqendrën e Francës. Sipas tij, BE-ja duhet të liberalizojë vizat për kosovarët, në këmbim të heqjes së taksës ndaj produkteve serbe.
Këto deklarata Serwer i ka bërë në një intervistë për Gazetën Express, ku ndër të tjera flet edhe për vizitën e Pompeos në Gjermani dhe ndërlidhjen e kësaj vizite zhvillimet Kosovë-Serbi, Samitin e Berlinit, korrigjimin e kufijve e Federica Mogherinin.
Lidhur me Samitin e Berlinit Serwer tha se Gjermania e bëri të qartë se nuk do të pranojë ndryshimet kufitare. Nga ajo që kam kuptuar unë, edhe Makron e ka bërë të qartë gjithashtu, privatisht.
Ndërkaq për vizitën Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, në Berlin dhe takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel ai tha se Sekretari i Shtetit ka shumë gjëra në mendje: Ukraina, Rusia, Kina, Siria dhe Ballkani Perëndimor, sipas njoftimit zyrtar. Dyshoj se Ballkani Perëndimor do të ketë përparësi. ''Ai sigurisht që është i vetëdijshëm për takimin e Berlinit, por nuk mendoj se ajo do të jetë thelbësore në udhëtimin e tij në Berlin'' tha Serwer.
Në lidhje me takimin e Parisit më 1 korrik, a mendoni se ky takim në Francë mund të sjellë ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Serwer: Mendoj se mund të sjellë disa marrëveshje për të zbatuar marrëveshjet të cilat janë arritur deri tani, por nuk e kam bindjen që një marrëveshje më e gjerë mund të arrihet në këtë kohë. Ja një ide: BE duhet të heq vizat për Kosovën, në këmbim të heqjes së taksës ndaj produkteve serbe.
I pyetur se si e sheh rolin e Bashkimit Evropian në gjithë këto zhvillime si dhe lidhur me Mogherinin, Serwer tha se Mogherini është e pasuksesshme dhe pa ndikim, duke përfunduar mandatin e saj. Gjithashtu tha ajo bëri një gabim të madh duke lejuar që të hapet çështja e ndryshimeve kufitare. Por ideja ka dështuar.
Në fund Serwer tha se normalizimi Kosovë-Serbi ndoshta nuk mund të arrijë me një paketë magjike këtë vit, pasi disa prej diplomatëve optimist e kanë shpresuar. Ajo mund të vijë si rezultat i një procesi të gjatë dhe të vështirë. Ajo kërkon një bashkëpunim intensiv dhe kompleks jashtë kufijve.























