Oliver Kiss: Admirimi për Amerikën e karakterizon gjithë shoqërinë kosovare
Ndoshta objekti më i shëmtuar në botë gjendet pikërisht në Prishtinë, por turistët në Kosovë gjejnë një bukuri shpirtërore dhe mikpritje te ngrohtë nga vendasit. Kështu fillon artikullin e vet të gjerë të botuar në tri pjesë në gazetën Szabadszag, gazetari hungarez nga qyteti Koloszvár i Transilvanisë në Rumani Oliver Kiss i cili së bashku me disa miq të tij, kishte vendosur që festën e Vitit të Ri ta presin në Kosovë.
Para se të niseshin për këtë aventurë, ata ishin pyetur me habi nga miqtë dhe të afërmit e tyre se çfarë po kërkonin në një vend të vogel i cili para hiq më larg se 20 viteve kishte kaluar nëpër një luftë të përgjakshme. Mirëpo ata e pranojnë se të njëjtat reagime nga rrethi i kanë pasur edhe para vizitave të tyre në vende tjera të ish Jugosllavisë, si Vukovar, Srebrenica e Sarajeva. Përgjigja e tyre ishte se ata preferonin vendet qe konsiderohen më të jashtëzakonshme sepse ato ofrojnë përvoja me interesante.
Vizitorët në Kosovë trajtohen nga vendasit si mysafirë personal të tyre, dhe pos mikrpitjes ata ua paguajnë mysafirëve edhe biletat e autobusit. Ata pohojnë se një mikpritje të sinqertë sikur në Kosovë, nuk mund ta gjesh në hotelet e shtrenjta dhe luksoze perëndimore. Një nga pikat më impresivce për ta ishte Biblioteka Kombëtare, dhe pikërisht për faktin se ky objekt ishte shpallur njëherë më i shëmtuari në botë. Edhe pse e ndërtuar në periudhën komuniste, ku simbolet kombëtare nuk guxonin të potencoheshin aq lirshëm, kupolat e ndriçimit të bibliotekës kombëtare të projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq ngjasojnë me kapelat e bardha tradicionale shqiptare.
Mbresëlënëse për ta ishte edhe Katedralja “Nënë Tereza” në qendër të Prishtinë, në një vend, siç e potencojnë ata me shumicë absolute myslimane. Ata raportuan edhe për kishën ortodoske të papërfunduar në mes të kampusit universitar në Prishtinë, duke vlerësuar se ky objekt dëshmon se në këtë vend ka pasur një realitet tjetër para luftës në Kosovë. Gazetarët hungarezë u interesuan edhe për varrezat hebraike në lagjen Velania të Prishtinës. Ato ishin të rrethuara dhe të mbyllura me portat në të cilat ishin të vendosura yjet e Davidit. Gazetarët e panë se askush nuk i kishte prekur ato varreza të mëdha nga mermeri.
Ajo që i befasoi turistët nga Transilvania ishin dy mbetje plumbash që i gjetën gjatë shëtitjes së tyre në rrugët e Prishtinës. Mirëpo, më vonë e kuptuan se këta plumba ishin shkrepur gjatë natës së ndërrimit të motmoteve. Përndryshe, Kosova, sipas tyre duket të jetë një vend i sigurt, ndonëse vazhdon të përballet me shkallën e lartë të krimit të organizuar..
Gjatë shëtitjes së tyre nëpër Prishtinë, ata hasën në rrugen Demokracia, që gjendet në lagjën Qafa në kryeqytet. Për ironi, kjo rrugë të çon në një garazh nëntokësor që nuk është një shenjë shumë inkurajuese.
Oliver Kiss dhe miqtë e tij vizituan përmendoren e Betejës së Kosovës në Gazimestan dhe tyrben e Sulltan Muratit në afërsi. Prej këtu ata vazhduan për Mitrovicë, për të kaluar urën ndarëse dhe shkuar në pjesën veriore të qytetit. Ata vërejtën se më shumë ka qenë që kalojnë këtë urë sesa njerëz. Pas njoftimit me realitetin e jashtëzakonshëm që zotëron atje, ata u kthyen sërish në jug dhe vazhduan rrugën për në lagjen Marigona Residence për tu njoftuar me një realitet ndryshe në Kosovë. Ata u befasuan kur panë emrat e rrugëve në këtë lagje elitare, të shkruara në mënyrën se si shqiptohen ata në gjuhën shqipe, pra Nju Jork e jo New York. Pjesë e vizitës së tyre ishte edhe qyteza e Gracanicës, afër Prishtinës. Gjatë bisedës me banorët vendas, ata dëgjuan ankesa se janë në presion nga shqiptarët, kurse atë që konstatuan vetë këta gazetarë ishte fakti se asnjë simbol kombëtar serb në këtë lokacion nuk ishte i dëmtuar në asnjë formë, përfshirë këtu edhe monumentin e madh të princ Llazarit që është i vendosur ne qendër të kësaj komune.
Siç u cek edhe në fillim të këtij artikulli, qëllimi i vizitës së mysafirëve nga Transilvania ishtë festimi i Vitit të ri në Prishtinë. Një pjesë të natës së ndërrimit të motmoteve ata e kaluan në sheshin qendror të Prishtinës kurse një pjesë në gjirin e një familje prishtinase. Gjatë vizitës së tyre në arkivin e RTK-së ata shikuan disa pamje tronditëse të pastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës nga serbët. Të nesërmen ata ia mësynë Reçakut, vendit ku u vranë e masakruan rreth 40 civilë shqiptarë, masakër kjo që shtyu bashkësinë ndërkombëtare që të reagonte me dhunë kundër forcave serbe. Sytë e gazetarëve hungarezë u mbushën me lot kur panë emrin dhe fotografinë e Avdyl Sejdiut, 99 vjeçar të vrarë në këtë masakër. Ky fakt dëshmon se viktima të kësaj masakre nuk ishin vetëm ushtarët e UCK-së, siç pretendon vazhdimisht Serbia zyrtare, por shqiptarët e të gjitha moshave, përfshirë edhe pleqtë, gratë e fëmijët. Ata e krahasojnë këtë masakër me gjenocidin serb në Srebrenicë, duke potencuar faktin se i gjithë ky tmerr ka ndodhur jo shumë larg vendit të tyre, pra Rumanisë.
Atyre gjithashtu u ranë në sy objektet fetare dhe shtëpitë e serbëve të shkatërruara në Kosovë. Ata i referohen kronikave të luftës, sipas të cilave ky qytet u okupua nga serbët gjatë Luftës së parë ballkanike, dhe kështu mbeti pa u bërë pjesë e shtetit shqiptar që u themelua në vitin 1912. Sipas korrespodentëve të huaj, serbët vranë më mijëra shqiptarë të këtij qyteti dhe e bënë Prizrenin qytet të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Përkundër kësaj, Prizreni mbeti një qytet shqiptar i cili u zhvillua me shpejtësi, dhe sot është pothuajse i vetmi qytet në Kosovë pjesa historike e të cilit nuk u shkatërrua nga ushtria serbe gjatë luftës në Kosovë, të cilët tentuan të zhduknin çdo gjurme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Sivjet janë bërë 20 vjet që nga përfundimi i luftës, por gjurmët e mbetur në shpirtin dhe koka janë ende të përceptueshme. Përkundër kësaj, Kosova është një vend modern dhe përfshirës, dhe njerëzit këtu janë shumë mikpritës dhe të dashur. Normalisht, ata dëshirojnë që tua dëshmojnë të huajve se vendi i tyre nuk është vetëm një vend me histori lufte, as si vetëm vendlindje e yjeve botërore të muzikës, Rita Ora dhe Dua Lipa, por mbi të gjitha si një vend modern që mirëpret turistë për tu ofruar atyre një përvojë interesante, të jashtëzakonshme dhe të ndryshme nga monotonia dhe rutina e përditshmërisë.
Oliver Kiss
Marrë nga gazeta hungareze: Szabadsag http://szabadsag.ro/-/koszovo-modern-muzulman-vilag-a-balkanon?fbclid=IwAR0PKCAilmWMNWLGdPlQWO0Jl0GpnXd_BOcYyVF3wYuAqnZK3xMmlFUvy0M























