VIDEO: Javë ndërgjegjsuese për sigurinë rrugore
BKT
Lajme

VIDEO: Javë ndërgjegjsuese për sigurinë rrugore

Java e sigurisë globale rrugore po shënohet edhe në Kosovë, që ka për qellim ndërgjegjësimin e shoferëve për ngadalësim të shpejtësisë gjatë vozitjes dhe respektimin e rregullave të trafikut.

Java e sigurisë globale për herë të parë ka filluar të shënohet në vitin 2007, kurse prej vitit 2013 e tutje Kosova ka filluar t'i bashkohet vendeve në mbarë globin, të cilat përmes aktiviteteve të ndryshme shënojnë këte javë. Këtë vit kjo javë është caktuar prej datës 6 deri më datën 12 maj.

Në këtë vit ka pasur shumë aksidente, por Jeton Rexhepi nënkolonel i Policisë së Kosovës tha se në bazë të statistikave të aksidenteve të trafikut rrugorë për periudhën janar – prill 2019 dhe janar – prill 2018, të gjitha aksidentet kanë shënuar rënie duke përfshirë aksidentet me përgjegjësi që janë 559 apo 12 .23%, aksidentet me dëme janë 214 raste apo 7.71%, aksidentet me lëndime janë në rënie 344 apo 19.44, shifra e personave të lënduar është në rënie 904 apo 25.32%, kurse numri i aksidenteve fatale është në rënie për një rast apo 3.85%, ndërsa për persona të vdekur edhe këtë vite është njëjtë ku 31 persona kanë vdekur nga janari deri më sot.

“Muaji shkurt është karakterizuar me rritje të numrit të aksidenteve me persona të humbur më shumë se sa në vitin e kaluar, mirëpo nëse flasim në përgjithësi nga viti 2009 e këndej shihet një rënie e lehtë e numrit të aksidenteve me persona të vdekur”, tha Rexhepi në emisionin “Studio e Hapur” në Radio Televizionin e Kosovës.

Ai tha se Policia e Kosovës nga fillimi i këtij viti ka zhvilluar aktivitete të ndryshme dhe projekte të përbashkëta me institucionet e tjera të Kosovës.

Bazuar në gjendjen e sigurisë së trafikut rrugorë dhe të gjitha llojet e aksidenteve janë planet e përbashkëta dhe veprimet konkrete të Policisë së Kosovës, zbatimi i ligjit për rregullat e trafikut rrugorë, ligjeve të tjera të fushës së trafikut, ligji për kundërvajtje dhe tani më po zbatohet edhe kodi i ri penal, shtoi Rexhepi.

Ndërsa Muhamed Krasniqi, tha se janë disa shkaktarë të cilët ndikojnë në shkaktimin e  aksidentit, apo edhe disa kontribuues të cilët ndihmojnë apo kontribuojnë në shkaktimin e aksidenteve në trafikun rrugorë.

Krasniqi tha se fajtor në shumicën e shkaktimeve të aksidenteve në rrugë është faktori njeri.

“Mos respektimi i shenjave dhe rregullave të trafikut është shkaktari numër një në aksidentet e trafikut rrugorë”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se kjo javë është lansuar dje dhe ka pasur përkrahje nga të gjitha institucionet poashtu edhe nga Radio Televizioni i Kosovës. Nesër do të bahet një tryezë e përbashkët ku do të marrin pjesë akterët kryesorë të cilët trajtojnë problemet e sigurisë në rrugë në mbarë Republikën.

Idriz Selimaj zëvendës ministër në Ministrinë e Infrastrukturës, tha se java e sigurisë po përcillet me vëmendje të shtuar nga ministria dhe presim që konkluzionet e tryezës që do të mbahet nesër të na shërbejnë edhe neve si instruksione për ndërtimin e politikave për sigurinë rrugore.

Ai shtoi se Ministria e Infrastrukturës çfarë do nisme për sigurinë rrugore do ta përkrahë pa rezervë.

Selimaj tha se mistria ka formuar një njësit taskforcë e cila kishte për detyrë të hulumtojë shkaqet dhe arsyet e vdekshmërisë në aksidentet me fatalitet, në këtë taskforcë të angazhuar ishin ekspert vendorë jashtë ministrisë dhe një pjesë nga ministria dhe janë nxjerrur disa rekomandime të cilat nëse implementohen do të përmirësojnë sigurinë rrugore.


MË SHUME NGA Lajme