Ambasadori zviceran thotë se ndryshimi i kufijve nuk funksionon
“Ndryshmi i kufijve nuk funksionon, as nuk ka funksionuar kurrë në histori. Nëse lëvizin kufijtë, arsyet e konfliktit nuk do të zgjidhen, sidomos në Ballkan”, deklaroi Jean Hubert Lebet
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, ka thënë se korrigjimi i kufijve asnjëherë nuk ka funksionuar.
Ai madje ka thënë se prekja e kufijve do të sillte telashe për të dyja vendet si Kosovën ashtu edhe Serbinë.
“Samiti i Berlinit konfirmoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse, për normalizim dhe integrim në BE. Në këtë kontekst, duhet theksuar disa çështje thelbësore. Ndryshmi i kufijve nuk funksionon, as nuk ka funksionuar kurrë në histori. Nëse lëvizin kufijtë, arsyet e konfliktit nuk do të zgjidhen, sidomos në Ballkan. Mund të futeni në telashe.
E dyta, kur marrëveshja bëhet me detyrim dhe zgjidhjet e shpejta janë jo stabile. Duhet besim mes palëve për të arritur marrëveshjen dhe për këtë duhet kohë. Tre, procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.
Zbatimi i marrëveshjes me rëndësi. Ambiguiteti konstruktiv i rrezikshëm, dhe këtë e dimë nga procesi i Brukselit. Shumë çështje për të cilat është dakorduar nuk janë zbatuar ende”, është shprehur ambasadori zviceran në Kosovë.
Këto komente ai i bëri në tryezën e KDI-s për dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë tryezë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, transmeton albinfo.ch.
“Jemi për zgjidhje, por nuk mundem unë të shkoj prej Mehës, Krushës në Berlin edhe të thonë hiqe taksën. Unë kam pranuar të ulem me të zgjedhurit e Millosheviqit, që tani udhëheqin Serbinë, Vuciqi e Daçiqi. Nuk bënë të vazhdohet me rëndim të gjetjes. Pas letrës së Trumpit nuk kemi ndërmarrë masa të reja edhe pse i kemi pasur të gatshme. Koha na ka kushtuar dy palëve. Nuk kemi interes me hap Kosovën e 17 shkurtit, e ka mbyll GJND-ja. Kushdo që thotë se përmes korrigjimit të kufijve arrihet paqja, e dinë se kjo çon në tragjedi e luftëra, edhe këtë po e bëjnë me vetëdije. Edhe ndërkombëtarët e dinë se kjo sjell tragjedi, nuk duam një luftë tjetër pas 20 vitesh”, është shprehur Haradinaj.























