Kosova po përballet me sfida në rrugën e integrimit evropian
Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka treguar pesë dështimet e Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Klientelizmi, madhësia e Qeverisë, menaxhimi abuziv i parasë publike dhe një sektor publik jo-efiqient, si dhe mungesa e një reforme thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe ndikim politik, janë pesë dështimet që sipas GLPS kanë ndodhur në rrugën drejt integrimit evropian.
Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive e GLPS, tha se Kosova vazhdon të përballet me sfida serioze në rrugën e integrimit evropian.
"Nivelet e këtyre sfidave janë në dy rrafshe, së pari ajo e pamundësisë politike për t’u garantuar që perspektiva Evropiane e Kosovës është e pakontestuar nga çdo shtet anëtar i BE-së, që natyrisht reflekton në mënyrën e vendimmarrjes në Këshill të BE-së në raport me çështjet që lidhen me Kosovën. E dyta, mungesa e një përkushtimi minimal të Qeverisë dhe akterëve të tjerë politik për të zbatuar në mënyrë solide reformat e kërkuara nga ajo që tashmë njihet si politikë e zgjerimit e BE-së", tha ajo.
Ajo përmendi pesë dështimet që sipas saj kanë ndodhur në rrugën drejt integrimit evropian.
"Klientelizmi, madhësia e Qeverisë, menaxhimi abuziv i parasë publike dhe një sektor publik jo-efiqient. Mungesa e një reforne thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe ndikimi politik", tha ajo.























