Haradinaj bën thirrje për arsim cilësor
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marr pjesë në manifestimin e 92 vjetorit të themelimit të shkollës "Maxhun Çekaj" në Irzniq, prej ku kërkoi që të investohet në arsim më cilësor që të rinjtë e Kosovës të jenë në hap me trendet e ekonomisë globale.
Duke u shprehur i lumtur që sot ishte në shkollën ku si nxënës kishte marr dijet e para, kreu i ekzekutivit tha se kjo shkollë ishte strehë e shumë luftëtarëve që luftuan për lirinë e Kosovës.
Fjalë të mëdha pati edhe për komandantin e ndjerë, Maxhun Çekaj, emrin e të cilit tash e një vit e mban kjo shkollë.
Haradinaj për Çekajn tha se ishte shembull që edukoi dhe u bë prindër për luftëtarët e UÇK-së, dhe vlerat e tij askush nuk mund t'i kontestojë.
Shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj u zotua për mbështetje të procesit arsimor, pasi sipas tij duhet të përgatiten si shtet për ballafaqim me ekonominë e egër globale. Për këtë shkolle ai ndau edhe medaljen “ Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Në ditëlindjen e 92-të të themelimitt të kësaj shkolle dhe një vjetorit të riemërimit të saj me emrin e komandantit "Maxhun Çekaj" mori pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi i cili tha se çdo vatër e arsimit në Kosovë në të kaluarën ishte edhe vatër ku mësohej patriotizmi, dhe krahas shumë profesorëve e dijetarëve shkollat shqipe nxori edhe shumë luftëtarë e patriotë.
Bytyqi iu bëri thirrje mësimdhënësve që nxënësit të përgatiten me arsim cilësor për një të ardhme më të zhvilluar të vendit.
Drejtori i Arsimit në Deçan, Bekim Vishaj tha se riemërimi i kësaj shkolle me emrin e komandantit "Maxhun Çekaj" brezave iu tregon se sa shumë e kemi respektuar historinë e lavdishme.
Ai tha se Maxhun Çekaj krahas dhënies së dijes me laps, luftoi me pushkë në dorë deri në flijimin e tij për liri.
Vishaj teksa dha mbështetje e madhe për këtë shkollë tha se si komunë po punojnë për shkolla moderne që i plotësojnë standardet evropiane.
Drejtori i Shkollës së Mesme të Ulët "Maxhun Çekaj", Mehdi Dodaj duke folur për historikun e kësaj shkolle tha se si objekt edukativo-arsimor i plotëson të gjitha kushtet arsimore.
Pas programit për nder të 92 vjetorit të hapjes së kësaj shkolle e cila tash e një vit mban emrin e profesorit dhe komandantit" Maxhun Çekaj" drejtues të kësaj shkolle të shoqëruar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinj dhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi zbuluan pllakatin me emrin e shkollës.























