Veseli: Serbia është përgjegjëse për krimet që i ka bërë në Kosovë
RTKlive
Kryeparlamentari Kadri Veseli sot ka vizituar lokacionin ku do të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit.
Ai tha se Serbia është përgjegjëse për krimet që i ka bërë në Kosovë. “Nuk ka forcë që e ndalon krijimin e Tribunalit për krimet e Luftës që i ka bërë Serbia në Kosovë. Kjo është iniciativë është nacionale, e vërteta duhet të dihet”, tha ai, raporton RTKlive.
Sipas tij në të gjitha qendrat e Kosovës do të ndërtohen muze që do të jenë memoria për Kosovën. Veseli ka propozuar që ky Memorial të ndërtohet në vendin që njihet si ish-tjegullorja në kryeqytet, në një hapësirë prej 9 hektarësh e cila aktualisht menaxhohet nga AKP.
Veseli tha se nuk do të ketë kthim mbrapa iniciativës. “Nuk do të lejojmë që gjaku ynë të humbet”, tha ai.
Veseli tha se inicimi i formimit të një komisioni shtetëror i cili tashmë pritet të formalizohet të enjten në seancë parlamentare dhe pas punës së tij do të rezultojë edhe inicimi i hapave tjerë drejt formimit të Tribunalit Ndërkombëtarë.
Veseli: Muzeu i Gjenocidit në Kosovë si Muzeu Yad Vashem në Izrael
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar lokacionin te ish-Tjegullorja në Prishtinë, vendi ku ai propozoi që të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit në Kosovë. Teksa ka folur për vendimet që do të marrin të enjten për të nisur hapat për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, Veseli ka thënë se Muzeu në Kosovë do të ketë ngjashmëri me Muzeun e Holokaustit, Yad Vashem në Izrael.
“Muzeu nuk do të jetë thjesht një ekspozitë por edhe një institucion shumëdimensional që do të mbështetet në pesë fusha veprimtarie: 1. Një është përkujtimi i viktimave të krimeve të bëra. 2. Së dyti do të shërbejë si qendër dokumentimi dhe arkivimi të evidencave dhe fakteve të luftës, se treti do të shërbejë si qendër ndërkombëtare hulumtimi për studiuesit e fushës, së katërti do të ketë rol edukativ për brezat e ardhshëm të memories kolektive së pesti do të ketë një rol proaktiv në gjetjen dhe përgatitjen e akuzave për kriminelët e luftës. Do të huazojmë nga përvojat më të mira ndërkombëtare të muzeve të gjenocidit sikurse janë Yad Vashem apo Simon Wiesenthal Center”, ka thënë ai.























