​Gjykata ndërkombëtare për krimet serbe shihet si e mundur
BKT
Lajme

​Gjykata ndërkombëtare për krimet serbe shihet si e mundur

Me rastin e 20-vjetorit të rënies së komandantit të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Qamil Ilazi (Komandant Bardhi)është mbajtur akademi përkujtimore për të nderuar veprën e tij.

Nga Kaçaniku krerët shtetëror u shprehen se lufta e UÇK-së, ka qenë e pastër, ndërsa për gjenocidin serb të kryer në Kosovë u tha se është e domosdoshme dhe e mundur krijimi i Gjykatës ndërkombëtare.

Ulëset në shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik ishin të pakta për gjithë ata njerëz që kishin ardhur për të nderuar veprën e komandant Bardhit, për të cilin u tha se roli i tij ishte shumë i rëndësishëm për çlirimin e Kosovës.

Në mesin e tyre ishin dhe dy krerët institucional, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

I pari i shtetit u shpreh se komandant Bardhi është njëri ndër personalitetet më të shquara të UÇK-së, që sipas tij pa të dhe të tjerët realiteti i lirisë së Kosovës nuk do të arrihej.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Qamil Ilazi për tre dekada i kishte kushtuar gjithë veprimtarinë e tij për Kosovën.

Duke folur për krimet serbe në Kosovë, Veseli u shpreh sot në Kaçanik se Gjykata Ndërkombëtare për krimet e shtetit serb në Kosovë është e domosdoshme, është e mundur, është e pashmangshme dhe do të ndodhë.

Kurse, nënkryetari i komunës së Kaçanikut, Ylber Bajra tha se Komandant Bardhi ishte personaliteti i duhur për t’u bërë simbol i luftës në Kaçanik dhe më gjerë, pasi siç tha ai gjithmonë ishte në ballë të betejave.

Para mbajtjes së akademisë përkujtimore, krerët shtetëror kanë bërë homazhe tek shtatorja e Qamil Ilazit në Kaçanik.


MË SHUME NGA Lajme