Sot luhen katër ndeshje interesante në Superligë
Java e parafundit e elitës së futbollit tonë nis sot me katër ndeshje shumë të rëndësishme për titull e mbijetesë.
Lideri i renditjes, Feronikeli luan në udhëtim te Llapi që tashmë thuajse i ka humbur gjasat për titullin kampion.
“Prishtina nuk bëhet kampion”, deklaratat e Tahir Batatinës dhe kërkesat e tifozëve të Llapit që skuadra të mos japë maksimumin ndaj Feronikelit, kanë ngjallur disa dyshime para këtij dueli. Mirëpo, terreni i “Zahir Pajazitit” do të sqarojë gjithçka sot prej orës 16:00.
E në të njëjtën kohë, Prishtina në stadiumin "Fadil Vokrri" është nikoqire e Trepçës ’89. Kjo e fundit është zhytyr në telashe pas humbjes së papritur në javën e kaluar para tifozëve të vet nga Ferizaj. Mitrovicasit kanë nevojë për pikë në kryeqytet për t'iu shmangur përfundimit eventual në barazh. Në anën tjetër për Prishtinën çdo rezultat tjetër përveç fitores ia jep mundësinë Feronikelit që me fitore t'i heqë të gjitha dilemat sa i përket titullit. Kësisoj, djemtë e Mirel Josës janë të detyruar të fitojnë.
Derisa në Podujevë e Prishtinë diskutohet titulli, në Skenderaj luhet një përballje për “jetë a vdekje”.
Drenica e Ballkani zbresin në fushën e “Bajram Aliut” për të marrë pikët e ikjes së barazhit.
Për qëllim të njëjtë do të luftojë edhe Flamurtari, që viziton sërish Gjilanin, kësaj radhe për t’u ballafaquar me Dritën.
Të gjitha ndeshjet fillojnë prej orës 16:00.























