VIDEO – Bytyqi: Ndërkombëtarët dështuan t`i japin drejtësi popullit tonë
Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës po diskutohet për rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë. Kjo seancë i ka 7 pika të rendit të ditës ku ndër të tjera është propozim rezoluta për gjenocidin, formimi i komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin dhe pika tjera që lidhen për gjenocidin serb të kryer në Kosovë.
Lidhur me këtë çështje në “Info 3 Live” në RTK 3, Avni Bytyqi nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, tha se iniciativa për krijimin e Tribunalit për krimet e Serbisë, ka ardhur nga kryeparlamentari Veseli pasi Bashkësia Ndërkombëtare dështoi për ta adresuar këtë çështje tash e dy dekada.
“Veprimet e kryeparlamentarit Veseli për Tribunalin janë të natyrshme të një lideri i cili e sheh si përgjegjësi dhe mbi të gjitha edhe obligim moral dhe institucional karshi qytetarëve. Ne për një kohë të gjatë kemi qenë naiv dhe i kemi besuar bashkësisë ndërkombëtare se do ta adresojnë këtë çështje sepse dihet që nga paslufta çështja e krimeve të luftës në Kosovë ka qenë nën përgjegjësinë e Bashkësisë Ndërkombëtare, përkatësisht të UNMIK-ut dhe EULEX-it, por rezultatet janë të turpshme. Na vjen keq, por ata nuk kanë qenë të angazhuar në atë nivel sa t’i japin drejtësi popullit të Kosovës që ka vuajtur shumë. Ne sot i kemi parë dëshmitë e një akti barbarë të një dhunimi para familjarëve gjatë luftës. Krime të tilla kanë ndodhur në gjithë Kosovën dhe ka pasur me mijëra civilë të vrarë”, ka theksuar Bytyqi në “Info 3 Live”.
Ai e ka vlerësuar seancën e sotme të Kuvendit si njërën prej seancave më të rëndësishme që nga shpallja e Pavarësisë, pasi sipas tij dokumentimi, klasifikimi dhe hulumtimi i krimeve është hapi më i rëndësishëm i drejtësisë tranzicionale që e ndërmerr një shoqëri pas luftës.
“Pra veprimet e kryeparlamentarit Veseli janë veprime të një lideri, i cili e sheh këtë si përgjegjësi sepse e sheh se ekziston diskursi publik se për 20 vite nuk është bërë asgjë. Kjo nuk është e vërtetë, por është bërë pak. Për kryeparlamentarin Veseli këto jo vetëm që kanë qenë pak, por të pamjaftueshme dhe për këtë arsye, ne, i kemi filluar këto hapa përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sot do të themelohet Komisioni Shtetëror, i cili do të ketë një mandat të veçantë me një ligj të veçantë, do të ketë edhe mekanizmat e saj, ku do të përfshihen të gjitha institucionet tjera. Pra, Veseli nuk është kujdesur vetëm ta mbajë gjallë kujtimin e këtyre viktimave por është përkujdesur edhe ta mobilizojë tërë mekanizmin shtetëror që të jetë në shërbim të kësaj iniciative. Nga të gjithë ka pasur përkrahje, jo vetëm nga presidenti e kryeministri, por edhe shumë profesorë dhe ekspertë me renome botërore janë lajmëruar vullnetarë për të ndihmuar pasi e kanë dëgjuar këtë iniciativë”, ka nënvizuar Bytyqi.
Për më shumë ndiqeni emisionin e plotë "Info 3 Live"























