Politikanët kosovarë nuk kursejnë shprehjet vulgare në publik
BKT
Lajme

Politikanët kosovarë nuk kursejnë shprehjet vulgare në publik

Rrezarta Zekaj, Radio Kosova

Politikanët në Kosovë nuk kursejnë shprehjet vulgare në gjuhën e tyre në publik, qoftë edhe në institucionin më të lartë të shtetit, në Kuvend.

Njohësit e çështjeve politike në vend, thonë se gjuha e papërshtatshme në diskursin publik kosovar nuk është diçka e re, por pasqyrë e kulturës dhe mungesës së ideve për zgjidhje të problemeve me të cilat përballen qytetarët dhe vendi.

Kjo është gjuha e ashpër politike me akuza e fyerje, retorikë dhe polemikave qoftë në mes liderëve politikë apo subjekteve rivale politike.

Politikologu Ramush Tahiri tha për Radio Kosovën se gjuha e politikanëve në përgjithësi paraqet kulturën dhe edukatën e tyre të përgjithshme :

"Në Kosovë është edhe ideja e maskulizmit ose ideja e asaj që me u duk i fortë dhe sa më shumë të jenë fjalët e rënda dhe më të këqija, duket se është më mirë ose ndihet më krenar, ose ndihet më i plotësuar, sepse në atë rast është vetvetja dhe nuk e ka për turp që atë fjalor ta përdorë në publik, dhe nëse shokohet opinioni ky konsideron se e ka arritur qëllimin. Kjo thjesht është një nivel i politikës, është edhe nivel i kulturës sonë, nivel i zakonshëm për atë shtresë që sot është në politikë " tha ai.

Edhe analisti Imer Mushkolaj tha për Radio Kosovën se gjuha politike kohëve të fundit nga politikanët në Kosovë nuk është diçka e re dhe sipas tij, kjo ndodh në situata dhe kohë të caktuara:

"Në vend se përnjëmend këta politikanë të kenë ide e propozime konkrete se si t’i çojnë përpara zgjidhjet për qytetarët, ata zgjedhin që të përdorin këtë gjuhë, me akuza e kundërakuza dhe banalitete të çfarëdo lloji në mënyrë që të tregojnë “fuqinë”, të them kushtimisht, që e kanë ndaj kundërshtarit", tha ai.

Zakonisht, Kuvendi është vendi ku shpërthen gjuha jo e përshtatshme, institucion ky, që ka kodin e mirësjelljes së deputetëve. Sipas këtij kodi, kryetari i Kuvendit kujdeset për rregull dhe mbarëvajtje të mbledhjeve në Kuvend, nëse përdoret gjuha joparlamentare, nxitet dhunë, përdoret gjuhë e pahijshme, ofenduese, shpifëse, kërcënuese ose fyese.  


MË SHUME NGA Lajme