Ligjet në Kuvendin e Kosovës shumë shpesh kthehen për plotësim-ndryshim
Bajram Lani, Radio Kosova
Ligjet në Kuvendin e Kosovës shumë shpesh kthehen për plotësim-ndryshim për shkak të nevojës që del gjatë zbatimit të tyre në praktikë. Në këtë, sipas monitoruesve të Kuvendit, po ndikon mungesa e dëgjimeve publike. Ata thonë se janë shumë të nevojshme dëgjimet publike ku grupet e interesit japin rekomandimet e tyre gjatë shqyrtimit të projektligjeve.
Praktika e dëgjimeve publike të komisioneve parlamentare gjatë procedurës së shqyrtimit të projektligjeve në Kuvendin e Kosovës, është rralluar në legjislaturat e fundit. Mungesa e dëgjimeve publike, ku përfshihen edhe palët e interesit, ka bërë shpesh që të ketë plotësim-ndryshime të shumta të ligjeve.
Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se është shumë e nevojshme të jenë prezentë palët e interesit gjatë shqyrtimit të projektligjeve.
“Në qoftë se projektligji bëhet në kuptimin që është problem kur hidhet në zbatim, normalisht palët e interesit do të kontribuonin në cilësinë e projektligjeve duke dhënë rekomandimet tyre ku duhet të përmirësohet, sepse ata ballafaqohen çdo ditë me kornizat ligjore dhe e dinë ku duhet të përmirësohet”, tha Haxhiu për Radio Kosovën.
Edhe analisti politik Imer Mushkolaj vlerëson se duhet të ketë dëgjime publike, ngase ligjet miratohen për kategori të caktuara të shoqërisë, andaj nuk duhet të jenë të imponuara, por të konsultuara me të gjitha palët.
“Natyrisht se duhet të shtohen konsultimet publike, duhet të shtohet përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe gjithë akterëve dhe hisedarëve në grupet punuese së pari për hartimin e ligjit, dhe pastaj të shkojë në miratim. Jo sikur po ndodh tash që miratohen ligjet dhe pas miratimit thuhet se nuk janë të plota dhe duhet amendamentuar”, thotë Mushkolaj për Radio Kosovën.
Në një përgjigje me shkrim nga Kuvendi i Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2018 ka mbajtur 26 dëgjime publike, ndërsa gjatë këtij viti janë mbajtur vetëm 6 dëgjime publike. I fundit ishte ai që u mbajt të mërkurën për Projektligjin për referendumin.
KDI-ja ndërkaq është kritike edhe për praktikën e miratimit të ligjeve me procedurë të përshpejtuar, pasi kjo mënyrë, sipas tyre, po e dëmton cilësinë e ligjeve. Haxhiu thotë se KDI-ja ka kërkuar nga Kuvendi që t’i respektojë procedurat, ngase kjo mënyrë e shpejtë e miratimit të ligjeve, po sjell deri te nevoja për plotësim-ndryshim të ligjeve.
“Normalisht kur kemi projektligje në shqyrtim me procedurë të përshpejtuar edhe kur nuk dëgjohen palët e interesit,edhe kjo kontribuon mandej që Ligji të kthehet në plotësim-ndryshim”, tha Haxhiu.
Sipas Haxhiut, ka raste kur një ligj është plotësuar dhe ndryshuar deri në tetë herë, proces ky që ka kosto buxhetore, por edhe iu merr kohë deputetëve gjatë amandamentimit.























