Veseli viziton policët e lënduar, aksioni mesazh për të përfshirët në krim
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar policët e lënduar gjatë aksionit të ndërmarrë gjatë ditës së sotme, kundër krimit të organizuar në disa komuna të Kosovës.
Ai para mediave tha se aksioni i sotëm është një mesazh për të gjithë ata që janë të përfshirë në krim të organizuar.
“Sundimi i ligjit do të jetë në gjithë Republikën e Kosovës, ky është një mesazh për të gjithë ata që janë të involvuar në krim të organizuar dhe korrupsion, shteti i Kosovës do të jetë i pa kompromis. Pavarësisht se a kanë një post zyrtarë, çoftë politikë apo policor sundimi i ligjit do të jetë pa kompromis për të gjithë, pa dallim etnie”, tha Veseli.
Kryetari i Kuvendit i falënderoi policët për aksionin e sotëm.
“Ajo çfarë është pozitive është se policët e lënduar janë në gjendje të mirë shëndetësore, jashtë rrezikut për jetë. Janë trimat e Kosovës, unë si bartës i institucioneve i falënderoj për punën e jashtëzakonshme dhe do ta kenë përkrahjen tonë gjithmonë”, u shpreh ai.























