Riciklimi i mbeturinave po merr përkrahje edhe nga niveli qendror në Kosovë
Sektori i riciklimit që ka nisur të pilotohet në nivel lokal, ka marrë përkrahje edhe prej nivelit qendror. Kështu edhe vendi ynë po shkon drejt hapave të një shoqërie që praktikon ndarjen e mbeturinave të riciklueshme.
GAC, si implementues i skemave të riciklimit në disa lagje në komuna të Kosovës me përkrahjen e donatorëve ndërkombëtarë dhe akterëve tjerë që po kontribuojnë në nisjen e këtij sistemi, po vazhdon me sukses zbatimin e këtyre skemave.
Kështu, GAC, ka marrë mbështetje nga ministri Matoshi për realizimin e projekteve konkrete që lidhen me fushën e menaxhimit të mbeturinave, e implementimin e skemës së riciklimit të mbeturinave, duke përfshirë këtu edhe ndarjen në burim.
‘Ministria ofron mbështetje teknike për infrastrukturë në klasifikimin e mbeturinave nëpër komuna ku kanë nisur skemat e zbatimit të ndarjes së mbeturinave të riciklueshme në burim që stimulojnë riciklimin në nivel kombëtar’, ka thënë ndër të tjera ministri Matoshi në takim me GAC-in.
Po ashtu ministri Matoshi i ka dhënë mbështetje GAC-it për realizimin e kampanjave vetëdijësuese si dhe programeve për edukim mjedisor që prej ciklit të ultë në nivel nacional.
Duke realizuar riciklimin më kryesorja është mbajtja e mjedisit të pastër. Por, riciklimi i mbeturinave ka edhe benefite tjera, duke nisur nga mbështetja e ekonomisë qarkore që rigjeneron produkte ose materiale për ripërdorim, e duke vazhduar me krijimin e mundësive për punësim në industrinë e grumbullimit dhe riciklimit të mbeturinave, e deri tek zgjerimi i misionit për krijimin e një bote pa mbeturina, por jo vetëm kaq, sepse ekzistojnë edhe shumë benefite tjera, prandaj edhe Kosova tashmë ka nisur aplikimin e ndarjes e mbeturinave të riciklueshme.
Ministri Matoshi ka falënderuar GAC-in dhe gjithë sektorin e shoqërisë civile për kontributin e tyre në ruajtjen e mjedisit.
























