Blatter paralajmëron padi ndaj Infantinos
Ish-kreu i FIFA-s, Sepp Blatter ka njoftuar në një intervistë për AFP, se do të paraqesë një padi, kundër pasardhësit të tij Gianni Infantino dhe FIFA-s, deri në fund të muajit.
“Kam edhe një takim me avokatët e mi për të përgatitur ankesën që do të paraqitet deri në fund të këtij muaji në Zyrih, kundër Gianni Infantino dhe FIFA”,tha Blatter për AFP.
“Është pak e komplikuar sepse është civile dhe penale. Ankesa fillon me nr.1 për dëmin moral që më është bërë nga FIFA, duke botuar shifra që nuk korrespondojnë me atë që ka qenë e shkruar në fillim në arkivat e saj, gjë të cilën nuk e korrigjoi, pavarësisht kërkesave nga avokatët e mi, duke përfshirë edhe bonusin e Kupës Botërore 2014 (në Brazil) që kurrë nuk e kam marrë”, shpjegoi ish-kreu i futbollit botëror.
83-vjeçari u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 2015 pas skandalit më të madh të korrupsionit në historinë e futbollit. Blatter kundërshton akuzën se, pas Kupës Botërore 2014, ai mori një bonus prej 12 milionë franga zvicerane (rreth 10.5 milionë euro).
“Dua të bëj drejtësi, ose FIFA ta bëjë atë sa më parë, se informacioni i dhënë ishte i gabuar. Kjo gjë u bë fillimisht nga Komiteti i Financave dhe më pas nga Komiteti Ekzekutiv, pastaj nga Komisioni i Kontrollit dhe Përputhshmërisë, që këtu del se unë kam një ndërgjegje të pastër” – shtoi ai. “Unë dua që njerëzit të kuptojnë se në këtë rast unë dhe familja ime kemi qenë të dëmtuar, është një çështje nderi”, këmbënguli Blatter.
Dhe kjo kërkesë e Blatter vjen një javë përpara kongresit të FIFA-s, që do të zhvillohet në Paris më 5 qershor, ku pasuesi i tij Gianni Infantino, i vetmi kandidat, duhet të rizgjidhet për një mandat të dytë.























