Studentët e UP-së me kërkesa drejtuar krerëve të shtetit
Një varg kërkesash dhe shqetësimesh, studentët e Universitetit të Prishtinës, i drejtuan krerëve të shtetit. Rreth 500 studentë të UP-së për herë të parë sot kanë mbajtur Konventën e studentëve të Prishtinës.
Nga kjo konventë u draftua një rezolutë, me kërkesat dhe nevojat e të rinjve drejtuar presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit.
Koordinatori Nacional për gjeneratën e re, Avdullah Hasani, tha se të rinjtë kosovarë dhe ata evropianë nuk dallojnë për nga dija apo kapacitetet, por nga vendi se ku jetojnë.
Megjithatë, nuk ishin të pakta kërkesat dhe shqetësimet e përfaqësuesve të studentëve, nga fakultetet e ndryshme të UP-së.Kreshnik Smakiqi, kryetar i këshillit të Fakultetit të Juridikut, tha se studentët meritojnë vëmendje dhe kushte më të mira.
Shqetësime pati edhe për njohjet praktike që studentët kanë mundësi t’i bëjnë gjatë studimeve, të tilla praktika, sipas tij nuk njihen pasi që diplomojnë dhe duan të punësohen Ai kërkoi që këto praktika të jenë me pagesë.
Për kushtet e studentëve, kërkesa dhe shqetësime pati edhe Dafina Syla nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore. Ajo tha se studentët e këtij fakulteti vijojnë mësimin në bodrume.
Ajo madje u ka bërë thirrje krerëve shtetërorë që të shkojnë të shohin se në çfarë kushte po vijojnë studentët mësimin.
Ndërsa, përfaqësuesi i komuniteteve pakicë, Denur Paqaku, foli për diskriminimin që u bëhet studentëve të komuniteteve duke kërkuar ridefinimin e politikave afirmative.
Ai tha se vjen nga një komunitet, që përballet me shumë diskriminime të cilëve iu mohon të gjitha të drejtat.
Kjo konventë u organizua nga Qeveria e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës.























