VIDEO - Hoxha: Të përshpejtohet dinamika në zbatimin e reformave
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pranuar dje Raportin për Kosovën nga Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, nëpërmjet të cilit konfirmohet progresi i arritur në vend.
Në raportin e ri për Kosovën, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe me administratën publike.
Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Evropiane, në 'Info3 live' në RTK3 tha se Raporti i vendit është përmbledhje e të arriturave dhe ngecjeve të Republikës së Kosovës në rrugëtimin drejt integrimit evropian.
''Raporti i vendit është një përmbledhje e të arriturave dhe ngecjeve të Republikës së Kosovës, gjithashtu i përfshin të gjitha institucionet, jo vetëm Qeverinë, Ministrinë apo Kuvendin por vlerësimet për të gjitha sferat dhe segmentet e politikbërjes në rrugëtimin tonë drejt Integrimit Evropian'', tha Hoxha në RTK3.
Gjithashtu, Hoxha tha se ky Raport ka edhe shumë kritika dhe rekomandime që tregojnë se ende ka shumë punë për të bërë që të përshpejtohet hapi drejt zbatimit sa më të madh të MSA-së dhe zbatimin e reformave.
''Unë e konsideroj si një raport të rëndësishëm për shkak se edhe e identifikon progresin që është bërë, por në anën tjetër gjithashtu na informon se a jemi në rrugën e duhur apo jo. Siç e kemi parë, kritikat, gjegjësisht, rekomandimet nga ky raport, tregojnë se ende kemi shumë punë për të bërë. Mendoj se janë kritika dhe rekomandime me vend sepse duhet të bëjmë ende më shumë, ne jemi ende në fazën fillestare të zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe përgjegjësia e madhe bie mbi të gjitha institucionet si dhe në të gjithë shoqërinë që të përshpejtojmë në hapin tonë drejt zbatimit sa më të madh të MSA-së dhe zbatimit të reformave. Por, në anën tjetër, gjithashtu duhet të arrihet një konsensus përtej fjalëve. Unë mendoj se është koha e fundit të ndërtohet një konsensus dhe duhet të përshpejtojmë dinamikën që të zëmë hapin dhe të fillojmë t'i zbatojmë reformat'', tha Hoxha.
Për më shumë ndiqeni videon e plotë:























