Mirëpritet vendimi detyrues i UEFA-s për shtetet që nuk e njohin Kosovën
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka mirëpritur vendimin e Unionit të Federatave të Futbollit të Evropës (UEFA), i cili i detyron vendet që nuk e njohin Kosovën, të luajnë kundër skuadrës së saj kombëtare dhe klubeve të saj, si nikoqir – qoftë në shtëpi apo në terren neutral – dhe si mysafir.
Pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, presidenti i këtij unioni, Aleksander Ceferin, njoftoi se ky komitet, ka miratuar një rregull të ri lidhur me ndeshjet e Kosovës, dhe klubeve të saj, me shtetet që nuk e njohin atë, dhe klubet nga këto vende.
Sipas këtij rregulli, të gjitha skuadrat, nga vendet që nuk e njohin Kosovën, qoftë në nivel kombëtaresh apo klubesh, përveç Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës – të cilat përbëjnë përjashtim për arsye sigurie – obligohen të luajnë kundër Kosovës apo klubeve të saj.
Federata Spanjolle e Futbollit nuk i pranon simbolet e Kosovës
Vendimi specifikon se vendet, që nuk e njohin Kosovën apo skuadrat e tyre, duhet që ndeshjen si nikoqir, ta luajnë në territorin e shtetit të tyre apo të bëjnë kërkesë për ta zhvilluar atë në një terren neutral, por atë si mysafir duhet gjithsesi ta luajnë në Kosovë.
“Është miratuar një rregull ndeshjesh, lidhur me vendet që nuk e njohin Kosovën. Ky rregull obligon të gjitha skuadrat tjera që të pranojnë të luajnë kundër Kosovës, ndaj kubeve dhe skuadrave kombëtare (Kombëtaren A dhe ato grupmoshave), si rezultat i shortit, qoftë në territorin e tyre apo në territorin e Kosovës. Përveç, ato që nuk luajnë aktualisht (Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina). Po ashtu, skuadrat e Kosovës (klubet dhe përfaqësueset) duhet të pranojnë të luajnë kundër cilësdo skuadër, vendas dhe mysafir”, tha presidenti Ceferin.
“Pra, çdo skuadër që vendoset të luajë kundër Kosovës, duhet të udhëtojë në Kosovë ose do ta humbë ndeshjen. Çdo skuadër që nuk dëshiron të jetë nikoqir i ndeshjes me Kosovën, në shtëpi, mund ta bëjë atë në një terren neutral”, tha presidenti Ceferin, në konferencën pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Rruga e gjatë e futbollit të Kosovës
Këtë vendim, të shtëpisë më të madhe evropiane të futbollit, e ka mirëpritur Federata e Futbollit e Kosovës. Duke e vlerësuar si hap përpara, sekretari FFK-së, Eroll Salihu, tha për Radion Evropa e Lirë, se Federata i ka bërë trysni UEFA-s lidhur me këtë çështje, veçmas pas problemeve të skuadrës kombëtare të grupmoshave më të reja, me Spanjën.
“Kemi bërë presion përmes kryetarit (Agim) Ademi, para pak kohësh kemi bërë presion edhe me shkresa të ndryshme lidhur me problemet që na kanë përcjellë edhe me grupmoshat tjera, sidomos me Spanjën dhe disa shtete, mund të them lirisht, që po tregohen më armiqësore sesa të tjerat, pa arsye, sepse po flasim për sport. Kemi bërë presion, sepse kjo po e pengon edhe UEFA-n në zhvillimin e garave normale”.
“Sigurisht që duhet të luhen (ndeshjet) në shtetin amë, qoftë në Rusi apo kudo tjetër. Por ka përjashtime, në raste të jashtëzakonshme, lejohet edhe jashtë shtetit të tyre, por ndeshja e paraparë të luhet në Kosovë, do të luhet në Kosovë, sigurisht edhe me simbole kombëtare të të dyja shteteve”, tha Salihu.
Duke folur për rëndësinë e të qenët të barabartë, brenda UEFA-s, Salihu tha se rol të veçantë në këtë, ka pasur presidenti Aleksander Ceferin, i cili, sipas tij, duke qenë nga Sllovenia, e njeh mirë situatën në Ballkan.
“UEFA po e kupton rëndësinë e të qenët të barabartë, sepse Ceferin e njeh mirë situatën në Ballkan. Dhe, mendoj që jemi në rrugë të mirë të lëmë gjurmë në futbollit ndërkombëtar, sidomos me rezultatet që kemi, jo vetëm me Përfaqësuesen A, por edhe grupmoshat tjera. Pra, ngadalë po hyjmë në binarët normalë. Por, nuk është vetëm Kosova këtu, të jemi korrekt, ka edhe shtete tjera që kanë probleme ndërmjet vete dhe UEFA po mundohet t’i zgjidhë në mënyrën më të mirë”, shtoi sekretari i FFK-së.
Ndërsa, gazetari dhe komentatori i futbollit, Arlind Sadiku, vendimin e UEFA-s, e vlerësoi si “lobim shumë të madh pro pavarësisë së Kosovës”. Edhe Sadiku beson se rol të madh, në këtë, ka pasur presidenti Ceferin. /REL/























