Optimizëm për liberalizim të vizave
Bajram Lani
Me optimizën për liberalizimin e vizave shprehet ditëve të fundit kryeministri Ramush Haradinaj. Këtë optimizëm e shtoi edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostollova, e cila tha se Komisioni Evropian nxit që vendimi të merret në mënyrë urgjente. Por, politologu Ramush Tahiri është skeptik, duke pasur parasysh faktin se pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Jemi në proces, tash mendoj se jemi në zbatim dhe më shumë mendoj se në vjeshtë do t’i kemi lajmet e mira”.
Këtë optimizëm për liberalizim të vizave, kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon ta shfaqë çdo ditë, sidomos pas samitit të Berlinit që u mbajt më 29 prill. Haradinaj madje edhe ka uruar qytetarët në disa paraqitje publike.
Por, kaq optimist nuk është politilogu Ramush Tahiri. Ai madje është skeptik se mund të ketë liberalizim të shpejtë të vizave dhe këtë e bazon në faktin që Kosovën ende nuk e kanë njohur pesë vende të Bashkimit Evropian.
“Unë nuk shoh mundësi përderisa pesë vende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, që të ketë liberalizim të vizave, sepse ato vende nuk mund ta procedojnë një çështje për të cilën nuk kanë as të drejtë legjitime dhe legale. Faktikisht ata nuk e njohin shtetin e Kosovës, shtetësinë e dokumentat e saj, disa vende bëjnë përjashtime sikur që është Greqia dhe praktikisht, pa i zgjidhur procedurat Evropa, nuk shoh liberalizim të vizave”, tha Tahiri për Radio Kosovën.
Në Raportin e Progresit për vitin 2019, liberalizimit të vizave i është dhënë një hapësirë e vogël, ku thjesht Komisioni Evropian ka përsëritur qëndrimin e tij se Kosova ka përmbushur kriteret, ndërsa ka ftuar institucionet e Kosovës të vazhdojnë përmbushjen e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, me theks të veçantë në sundimin e ligjit dhe migrimin. Megjithatë, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostollova, teksa ua dorëzoi raportin krerëve të institucioneve, përcolli mesazhe inkurajuese për liberalizimin e vizave, duke thënë se të gjitha kriteret janë përmbushur dhe rekomandohet liberalizimi i vizave, e madje Komisioni nxit që vendimi të merret në mënyrë urgjente nga shtetet anëtare.
“Mendoj që kjo është gjuha më e fortë që kemi parë deri më tani që nxitë shtetet anëtare që të gjejnë një zgjidhje sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Apostollova.
Sidoqoftë, politologu Ramush Tahiri nuk sheh liberalizim të shpejtë të vizave, pa i zgjidhur Evropa procedurat e saj. Ai thotë se ky është një turp i Evropës, sepse nuk ka arsye që kosovarët të jenë të anatemuar as për nga përkatësia fetare, as për nga përkatësia gjeografike. Aq më tepër sipas tij, nuk ka arsye për vonesa, duke ditur që Kosova e ka pasur misionin evropian për sundim të ligjit.























