Sahin: Duhet të ketë investime të dyfishta për fëmijët
Në konferencën e dytë ndërkombëtare për “Shëndetin, Mirëqenien, të Drejtat dhe Edukimin e Fëmijëve”, u kërkua që të ketë investime të dyfishta për fëmijët, e në të njëjtën kohë u tha se këta të fundit po përballen me vështirësi dhe probleme të ndryshme.
Në hapjen e punimeve të kësaj konference, për të shënuar kështu 1 qershorin, Ditën e Fëmijëve ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi tha se ndjejnë obligim që të ofrojnë kushte të favorshme për fëmijët, në mënyrë që të kenë arsimim dhe edukim të mirëfilltë. Sipas tij, pasuria më e madhe e një vendi janë fëmijët.
Bytyqi tha se me arsimim dhe edukim të mirëfilltë, do të kontribuojnë edhe në popullësi të mirëfilltë.
Avokati i Popullit Hilmi Jashari tha se si institucion kanë identifikuar shumë probleme me të cilat përballen fëmijët.
Se rinia kosovare, është një potencial i madh për vendin e thotë edhe shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin. Sipas tij janë disa çështje që patjetër duhet të adresohen. Sahin tregoi për aktivitetet që UNICEF-i i organizon, duke përmendur kështu, muajin prill ku erdhi në Kosovë këngëtarja Rita Ora e cila vizitoi disa fëmijë që kanë nevojë të avancohen dhe t’u jepet më shumë hapësirë dhe kushte.
Nezahate Salihu, drejtoreshë nacionale e SOS Fshatrave të fëmijëve tha se janë duke punuar vazhdueshëm pa dallim për të gjithë fëmijët të cilët janë pa përkujdesje prindërore.
Ajo tha se mision i tyre është edhe strehimi, edukimi dhe rritja e tyre e shëndetshme, e fëmijëve pa përkujdesje prindërore.
Ajo ka lutur të gjitha institucionet që të kalojnë kohë më shumë me fëmijët në mënyrë që të shohin për së afërmi nevojat e tyre.























