Kurdisje, pati apo s`pati!?
Edicioni 2018-19 në futbollin kosovar u mbyll midis shumë polemikave dhe kritikave në pjesën e dytë të stinorit.
Shumë herë u përmendën kurdisjet e ndeshjeve, sidomos në disa prej atyre të Ligës së Parë ku klubet me qëllim futnin në lojë lojtarë me 4 kartonë të verdhë, pra pa të drejtë paraqitjeje, për të humbur në tavolinë 3 pikë të cilat i konvenonin ndonjërës palë të përfshirë në lojë si për top-katërshe ashtu edhe për ikje nga barazhi dhe rënie në një nivel më të ulët të garave.
Pati mjaft fjalë edhe për kurdisje në Superligë dhe kulminacioni arriti në duelin e barazhit ndërmjet Vëllaznimit dhe Trepçës ‘89. Jashtëzakonisht i zëshëm ishte presidenti i Vëllaznimit, Agim Cana pas përfundimit të ndeshjes. Ai madje ftoi edhe mediat që të xhironin fjalimin e tij përballë lojtarëve.
Kritika të mëdha në pjesën e dytë të nxehtë të kampionatit pati në drejtim të gjyqtarëve. Mjaft aktiv ishte trajneri i Llapit, Tahir Batatina i cili disa herë ia adresoi fajin shtëpisë kryesore, Federatës së Futbollit.
Reagime pati plot, por fakte asnjë. Mbetet të shihet çka do të ndodhë pas 1 viti pasi që në disa ndeshje të futbollit tonë ishin të pranishëm zyrtar të UEFA-s. E dihet që UEFA heton gjatë për të marrë më pas një vendim. Kështu që në rast se konstatohet se ka pas kurdisje atëherë klubet tona mund të paguajnë shtrenjtë edicionin e ardhshëm. Shpresojmë që kjo të mos ndodh pasi që prej edicionit 2020-21 do të kemi 3 përfaqësues në garat e UEFA-s.
Edicioni që lamë pas tanimë u mbyll dhe para nesh janë 3 muaj që të përgatitim sa më mirë stinorin e ri.
Federata e Futbollit duhet të mobilizohet maksimalisht dhe në bashkëpunim me organet e saj dhe me ato kompetente shtetërore të vëzhgojë me përpikëri secilën ndeshje që nga java e parë e kampionatit të ardhshëm.
Nëse dëshirojmë ngritje atëherë duhet vepruar me korrektësinë maksimale përballë të gjithë akterëve të përfshirë si në Superligë, Ligën e parë dhe atë të dytë.
Që do të thotë duhet të formohen ekipe të tëra që do të punonin në eliminimin e dukurisë edhe më minimale negative në ngjarjen kryesore sportive të shtetit tonë.
ANDIN LOKAJ























