Lekaj: Mocioni i opozitës s`bën ta ndalim punën
Te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti e koalicionit qeverisës, nuk po i frikësohen mocionit të nisur nga partitë opozitare për rrëzimin e Qeverisë.
Nënkryetari i kësaj partie, Pal Lekaj, ka thënë se në demokraci çdo partie i lejohet të bëjë veprime të tilla.
“E mira e demokracisë është kjo, secili që jemi në politikë mund të organizojmë kundërshtime demokratike e ligjore kundrejt konceptit qeverisës. Në këtë rast edhe mocioni i opozitës nuk na bën që ne të ndalim punën apo të ndihemi në panik”, ka thënë Lekaj për Telegrafin.
Lekaj tha se do të vazhdojnë të punojnë si koalicion qeverisë deri në fund të mandatit.
“Opozita është e lirë të tentojë me të tilla veprime të rrëzojë qeverinë. Ne jemi absolutisht në krye të detyrës dhe ne zbatim të mandatit qytetar e kushtetues. Kështu do të vazhdojmë të sigurt deri në zgjedhjet e ardhshme, që sipas rregullave kushtetuese ligjore i bjen te mbahen në vitin 2021”, tha ai.























