Memorandum bashkëpunimi mes Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Shqipërisë
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka pritur në takim Avokaten e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca, dhe Avokatin e Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari.
Pas takimit, ata deklaruan se kanë biseduar për mundësinë e nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit, në mënyrë që të fuqizojnë bashkëpunimin regjional.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti tha se ekziston nevoja e këmbimit të përvojave mes vendeve dhe e diskutimit të çështjeve në të cilat ngecin të dy vendet.
Erinda Ballanca, Avokate e Popullit në Shqipwri tha se të gjithë kanë mundësi për të folur të njëjtën gjuhë dhe për të trajtuar çështjet në nivel rajonal dhe evropian, brenda realitetit gjithëpërfshirës midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari bëri të ditur se po synojnë nënshkrimin e një memorandum bashkëpunimi mes dy vendeve.
Erinda Ballanca, e cila për të parën herë viziton Kosovën si Avokate e Popullit, është pritur në takim sot edhe në Gjykatën Kushtetuese.























